Sport

Alban Ramadani, futbollisti që la Zvicrën për Llapin

Ka lindur në Zvicër, por në moshën gjashtëvjeçare është kthyer në Kosovë për të jetuar së bashku me familjen e tij. Karrierën si futbollist e ka nisur te shkolla e futbollit “Talentet e Gjilanit”, ndërsa si 14-vjeçar është kthyer sërish në Zvicër, duke iu bashkuar akademisë së futbollit te klubi i Servettes. Ka luajtur për gjashtë klube zvicerane dhe tre të tjera në Itali. Bëhet fjalë për futbollistin Alban Ramadani, i cili në verën që lamë pas u kthye për herë të dytë në Kosovë. Ai e la futbollin zviceran për të pranuar ofertën e Llapit nga Podujeva, që bën gara në Superligën e Kosovës në futboll. Ramadani, që luan si mesfushor defensiv dhe veçohet për elegancën e tij në fushë, edicionin e kaluar ishte pjesë e skuadrës Etoile Carouge FC, që bën gara në ligën e tretë të futbollit në Zvicër.

Në një rrëfim për KOHËN, Ramadani ka zbuluar se është kthyer në Kosovë dhe ka zgjedhur Llapin, për shkak të projektit që i është prezantuar. Ai zbulon se ka qenë trajneri Tahir Batatina që e ka bindur t’i thotë po ofertës së ekipit llapjan. “Në verën e fundit, erdha nga Zvicra në Kosovë dhe u bashkova me Llapin për një eksperiencë të re. Për momentin jam në periudhën e adaptimit me futbollin kosovar dhe me skuadrën që kam zgjedhur. Po ndihem shumë mirë dhe jam shumë i kënaqur që jam pjesë e Llapit. Jam duke e shijuar këtë periudhë, ani pse nuk po kemi rezultate të mira në këtë fillim, por që besoj shumë shpejt do t’i marrim rezultatet pozitive pasi jemi duke punuar shumë në atë drejtim”, ka thënë 26-vjeçari. “Arsyeja që më ka shtyrë të zgjedh kalimin te Llapi është organizmi i mirë i klubit, projekti afatgjatë që ka, si dhe grupi i njerëzve fantastikë që e mbajnë këtë klub. Të gjitha këto kanë ndikuar që unë të mos mendoj shumë dhe ta pranoj ofertën e Llapit. Kurse, ai që më ka bindur ishte trajneri Tahir Batatina”. Madje, ai insiston se te Llapi po ndihet si në shtëpi. Ai thotë se kishte edhe oferta të tjera, por zgjodhi ekipin kosovar për shkak edhe të seriozitetit. “Te Llapi kam gjetur një grup të shkëlqyeshëm të lojtarëve dhe anëtarëve të tjerë të klubit, e kam fjalën për të gjithë ata që janë pjesë e klubit. Mund të them se jemi si një familje. Kjo më ka ndihmuar shumë në fillim kur kam ardhur, pra kjo atmosferë e mirë. Te Llapi po ndihem si në shtëpinë time”, thotë Ramadani. “Kam pasur oferta të shumta. Kam qenë në bisedime edhe me disa klube të tjera, por vendosa t’i them po Llapit pasi projekti ishte më serioz se i klubeve të tjera. Mua më mbetet të jap më të mirën nga vetja për t’i arritur objektivat që ka klubi. Ende është herët dhe mund t’ia dalim, pasi deri në fund të kampionatit ka shumë ndeshje”.

I befasuar me klubet në Kosovë

Mesfushori defensiv, Ramadani, nënvizon se kalimi në futbollin e Kosovës për të është ndryshim i madh në karrierë. Por, ai e pranon se është i befasuar me organizimin e mirë të Llapit dhe klubeve të tjera kosovare. “Për mua si lojtar është një ndryshim i madh me ligat në të cilat kam luajtur më herët. Ajo çka do të veçoja është organizimi shumë i mirë i klubeve që kam parë deri më tani në Kosovë. Janë të organizuara më mirë se që kam menduar. Pritjet e mija nuk kanë qenë të tilla dhe mund të them se jam i befasuar për të mirë me futbollin dhe klubet kosovare”, shtoi Ramadani, që mendon se futbolli kosovar ka shënuar ngritje të madhe. “Futbolli i Kosovës është në ngritje. Ka investime të shumta, e po ashtu edhe ardhje të lojtarëve shumë cilësorë dhe me përvojë të madhe. Kjo ndikon shumë që të rritet cilësia dhe liga e futbollit kosovar”. Ramadani i ka zhvilluar tetë ndeshje deri më tani me Llapin në Superligën e Kosovës. Ai është i bindur se forma e tij që po e kërkon, do të vijë në ndeshjet e radhës, e bashkë me të edhe fitoret e Llapit. “Kam tetë ndeshje, disa si titullar e disa si rezervist dhe gradualisht po adaptohem. Duke e ditur që është hera e parë që luaj në futbollin e Kosovës, mund të them se jam i kënaqur deri diku, por besoj që forma ime më e mirë, për të cilën po punoj çdo ditë, do të vijë në ndeshjet e radhës. Po ashtu, besoj që edhe fitoret e Llapit do të vijnë së shpejti. Renditja aktuale që kemi në tabelë, mund të them se nuk e paraqet realitetin në bazë të asaj që kemi shfaqur në fushë. Mendoj që kemi merituar më shumë, pasi kemi ekip shumë të mirë. Sido që të jetë, fitoret e Llapit do të vijnë shumë shpejt”, tha Ramadani. 

Zgjodhi Shqipërinë para Zvicrës

Alban Ramadani nuk ka luajtur asnjëherë për Zvicrën, vend në të cilin ka lindur dhe e ka kaluar kohën më të madhe. Ai në moshë të re kishte vendosur që të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë, duke humbur mundësinë që të ftohet nga Zvicra, e cila po e vëzhgonte. Ramadani ishte pjesë e grupmoshës U-19 të Shqipërisë, por më pas lidhjet me “kuqezinjtë” u ndalën. “Në moshën 18-vjeçare, kam qenë i grumbulluar me Kombëtaren e Shqipërisë U-19, ku jam paraqitur në disa ndeshje miqësore. Që nga ajo kohë nuk kam pasur më kontakte as me Shqipërinë. Thënë të vërtetën, unë në moshë të re mendoja të luaja vetëm për Shqipërinë ose Kosovën. Kam pasur rast të luaj edhe për të rinjtë e Zvicrës, ku më është thënë se në grumbullimin e radhës do të ftohem nga Zvicra U-19, por unë zgjodha Shqipërinë dhe më pas nuk pati më interesim nga Zvicra. Jam i kënaqur me zgjedhjen që kam bërë dhe nuk i kam rënë pishman”, shtoi Ramadani, i cili ishte ftuar një herë edhe nga Kosova U-21, por që nuk ka mundur të vijë. “Kam pasur kontakte të vazhdueshme me Kosovën dhe trajnerin Albert Bunjaki në atë kohë. Nuk kam ftesë nga ekipi i parë për arsye se nuk kam pasur shumë minuta në ekipin ku luaja e po ashtu në disa raste kam pasur probleme edhe me lëndime. Ftesë kam pasur nga Kosova U21, por që nuk kam mundur të bashkohem. Ishte e pamundur që të vija në atë grumbullim”. Ai flet edhe për vështirësitë e tjera gjatë karrierës.

Thotë se ka kaluar nëpër periudha jo të mira që ia kanë ndryshuar edhe rrugën drejt suksesit më të madh që do të mund ta shijonte. Ramadani kishte probleme edhe me lëndime, që ndikuan negativisht në karrierën e tij. “Si shumë lojtarë, edhe unë kam kaluar nëpër shumë vështirësi të ndryshme. Do të veçoja një lëndim të vogël që më ndodhi në stërvitjen e parë me Prishtinën e që ndikoi që të dështojë kalimi im tek ekipi i Prishtinës para dy vjetësh. Edhe pse kisha nënshkruar kontratë nuk munda ta luaj asnjë ndeshje”, tha Ramadani. Ai thekson se ka pasur rast që të kalojë edhe te ndonjë klub i madh evropian, por nuk ka dashur t’i zbulojë arsyet. “Gjatë karrierës sime kam pasur rast që të kaloj edhe te disa klube më të mëdha evropiane, por për arsye të ndryshme të cilat nuk dua t’i bëj publike, nuk ka ndodhur kalimi im. Jam i kënaqur me atë që kam zhvilluar në të gjitha klubet ku kam luajtur”, deklaroi ai. Ramadani karrierën e ka nisur te shkolla e futbollit “Talentet e Gjilanit”, ku trajner ishte Refik Rexhepaj. Më pas, ka shkuar te Sevette në Zvicër ku ka luajtur edhe te Stade Nyonnais përpara se të kalojë në Itali te Padova. Në Serie C të Italisë ka luajtur edhe për Pordenonen, me të cilën ishte afër inkuadrimit në Serie B, por humbi në gjysmëfinale nga Pisa e trajnerit Gennaro Gattuso, si dhe për Meceratesin. Në vitin 2017 është rikthyer në Zvicër te Chiasso, me të cilën është paraqitur në kategorinë e dytë, kurse ka bartur edhe fanellën e United Zurich, SC YF Juventus dhe së fundmi Etoile Carounge.