Klubi i ri i portugezit Cristiano Ronaldo, Al-Nassr, ka mohuar raportet se kontrata e tij përfshin një marrëveshje për të mbështetur ofertën e përbashkët të Arabisë Saudite për organizimin e Kupës së Botës 2030. Ronaldo 37-vjeçare, iu bashkua skuadrës saudite muajin e kaluar pasi u largua nga Manchester Unitedi me pëlqim të ndërsjellë në nëntor të vitit të shkuar pas intervistës së tij shpërthyese me gazetarin Piers Morgan. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” vendosi firmën e tij në kontratën për dy vjet e gjysmë me Al-Nassr me pagë vjetore prej 200 milionë eurosh.
Megjithatë, raportet në Spanjë në fund të dhjetorit pretenduan se Ronaldo ka firmosur kontratë për shtatë vjet dhe krahas lojtarit, do ta ketë edhe një rol tjetër. Thuhej se ai do të bëhej gjithashtu një ambasador për ofertën e Arabisë Saudite për Kupën e Botës 2030 për shkak të një klauzole në marrëveshjen e tij me klubin saudit. Sipas gazetës “Marca”, Ronaldo kishte rënë dakord të promovojë fushatën e përbashkët të vendit nga Lindja e Mesme me Egjiptin dhe Greqinë për të organizuar turneun më të madh të futbollit, duke ndjekur hapat e rivalit të përhershëm, Lionel Messi.
Megjithatë, Al-Nassr e ka mohuar këtë, pasi klubi i ri i Ronaldos në Twitter bëri një postim për të hedhur poshtë sugjerimet se kontrata e tij përfshin një klauzolë për të mbështetur ofertën për Kupën e Botës.
“Al-Nassr FC dëshiron të sqarojë se në kundërshtim me raportet e lajmeve, kontrata e Cristiano Ronaldos me Al-Nassr nuk përfshin angazhime për asnjë ofertë për Kupën e Botës. Fokusi i tij kryesor është te Al-Nassr dhe të punojë me shokët e tij për të ndihmuar klubin të arrijë sukses”, thuhet shkurt në deklaratën e klubit nga Arabia Saudite. Ndërsa, tek Al-Nassr janë të bindur se Ronaldo nuk ka asnjë përfshirje, Messi tashmë është zbuluar si ambasador i Arabisë Saudite, një vend që është përballur me kritika për të kaluarën e tij me të drejtat e njeriut. Në fillim të vitit të shkuar, saktësisht në muajin shkurt, pasi doli se Messi ishte kontaktuar nga bordi i turizmit saudit, familjet e të burgosurve të ndërgjegjes i shkruan një letër që i kërkonin atij të mos përfshihej.
“Ju jeni një frymëzim për miliona njerëz dhe ajo që thoni dhe bëni ka vërtet rëndësi. E thënë troç – ju keni fuqi të madhe, por me atë fuqi vjen edhe përgjegjësia e madhe”, thuhej në letrën e drejtuar Messit, i cili muajin e shkuar e udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në Kupën e Botës “Katari 2022”.
Portugezi Ronaldo ende nuk e ka bërë debutimin e shumëpritur të tij me fanellën e klubit të ri, Al-Nassr, pasi ai vazhdon të vuajë dënimin me dy ndeshje në mbarë botën nga Federata e Futbollit të Anglisë për shkak të thyerjes së telefonit të një tifozi të Evertonit vitin e kaluar. Dalja e tij e parë për klubin në fakt mund të vijë pikërisht kundër Messit, pasi më 19 janar thuhet se Al-Nassr do të përballet me Paris Saint-Germainin në një ndeshje miqësore që zhvillohet në Riad. Gjiganti francez pritet të përballet me një skuadër të përbërë nga lojtarë të Al-Nassr dhe Al-Hilal, edhe pse mbetet për t'u parë nëse Messi do të përfshihet në këtë miqësore.