Festimi i ditës botërore të pingpongut, që është më 6 prill, këtë vit do të bëhet ndryshe prej viteve tjera, për shkak të përhapjes së koronavirusit.
Federata Ndërkombëtare e Pingpongut do të krijoj një video-klip 24 orësh, me një goditje të topit të pingpongut nga të gjitha shtetet.
Pjesëmarrës në këtë video-klip do të ketë edhe nga Kosova, raporton Koha.net
Federata e Pingpongut të Kosovës ka ftuar të gjithë anëtarët e saj që të krijojnë një video individuale të shkurtër, rreth pesë sekonda, duke e goditur topin në formë kreative.
“Mund të përdorni objekte që i gjeni rreth shtëpisë suaj për të goditur topin, ose pse jo të bëni edhe ndonjë trik-goditje. Në dhomë të fjetjes, kuzhinë, oborr, garazh, pra mund të krijoni videon kudo që ndodheni”, thuhet në njoftimin e FPPK-së, ku afati i fundit për të dërguar videon është deri më 1 prill në ora 23:59.
Kreu i FPPK-së, Jeton Beqiri ka thënë për Koha.net se në këtë kohë të pandemisë së koronavirusit, ku të gjitha sportet janë pezulluar, pingpongu mbetet sporti më i përshtatshëm për të kaluar kohën. Në fakt, pingpongu është njëri prej sporteve të pakta që mund të organizohet në këtë kohë izolimi, pasi hapësira që kërkohet për të luajtur këtë lojë nuk është e madhe e për më tepër garantohet edhe distanca në mes të dy lojtarëve.
“Është fakt që vendet e perëndimit i kushtojnë rëndësi të madhe sociale situatës në të cilën po kalojnë të gjitha vendet dhe tavolina e pingpongut është një nga mundësitë e pakta që e lejon kjo pandemi që është përhapur gjithandej. Duke pasur parasysh që për sportin e pingpongut në nivel amator nuk kërkohet hapësirë e madhe, një dhomë e lirë e ndejës apo garazh mjafton për t’u luajtur ky sport. Është një situatë ideale për familjet që e posedojnë këtë hapësirë të vogël dhe kushtet ekonomike që të pajisen me të”, ka shtuar Beqiri që tashmë në shtëpinë e tij ka vendosur një tavolinë dhe një robot për ta tejkaluar me lehtë këtë kohë izolimi.
“Sporti i pingpongut mundëson parametrat e distancës sociale prej më shumë së dy metra në mes dy lojtarëve dhe është shumë i përshtatshëm për këtë periudhë pandemie dhe do i rekomandoja të gjitha familjet që mund te sigurojnë kushtet e tilla”.
Ai gjithashtu ka garantuar se në videon 24 orëshe të ITTF-së, do të ketë edhe sekuenca të pingpongut nga Kosova për të festuar ditën e pingpongut.
