Në Dushanbe të Taxhikistanit të premten ka nisur gara e radhës e turit botëror të xhudos. Në Grand Prix të Dushanbe do të garojnë edhe dy xhudistët kosovarë, Akil Gjakova e Loriana Kuka. Akili e Loriana garojnë të shtunën.
Akil Gjakova garon në kategorinë deri 73 kilogramë, ndërsa Loriana Kuka në kategorinë deri 70 kg. Për Lorianën është kategori e re në të cilën po testohet pas telasheve me formë që iu shfaqën në kategorinë deri 78 kilogramë. Për të dy synimi është i qartë – plasmani sa më i mirë në kërkim të formës sa më të mirë dhe pikëve të rëndësishme për ranglistën botërore, përkatësisht për ta siguruar normën olimpike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAkili e Loriana janë në kërkim të normës për Lojërat Olimpike “Parisi 2024” dhe për të dy secila garë është e rëndësishme. Akili pas garës së kaluar u ngrit për dhjetë pozita në renditje. Tani është i 39-ti në kategorinë deri 73 kg. Në Grand Prix në Upper të Austrisë, Akili u rendit i shtati. Ishte plasmani i parë këtë vit për xhudistin më të mirë në vend.
Në kategorinë e re Loriana për një garë përparoi për 35 pozita. Tani është e 85-ta. Dukshëm më lart është në kategorinë 78 kg. Në Grand Prix në Austri, Loriana ishte e pesta.
“Synimi është zona e medaljeve. Si Akili ashtu edhe Loriana janë në ngritje të formës dhe këtë presim ta dëshmojnë edhe këtë fundjavë”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
Në Taxhikistan po garojnë 315 xhudistë nga 40 shtete të ndryshme. Në kategorinë e Akilit janë 33 xhudistë, më së shumti prej të gjitha kategorive. Në kategorinë deri 70 kg janë 18 xhudiste.
Akili në xhiron e dytë përballet me rumunin Alexandu Raicu. Ndaj tij ka tri fitore.
Loriana po ashtu është e lirë në xhiron e parë. Në xhiron e dytë përballet me irlandezen Rachael Hawkes. Në rast të fitores me shumë mundësi do ta ketë përballë bartësen e parë, britaniken Kelly Peterson Pollard.
Trajneri Kuka ka vendosur të pushojë nga kjo garë xhudistët e tjerë, duke përfshirë kampionet olimpike Nora Gjakova e Distria Krasniqi.