Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ajeti te Zvicra, Shabani më afër Shqipërisë sesa Gjermanisë

Ashtu siç pritej, Valon Behrami e Blerim Xhemaili nuk janë ftuar nga Zvicra për ndeshjet e shtatorit, shkruan sot Koha Ditore.

Përzgjedhësi i Zvicrës, Vladmir Petkoviq, të premten ka publikuar listën me emrat e lojtarëve në të cilët llogarit për ndeshjen e Ligës së Kombeve të UEFA-s ndaj Islandës (8 shtator) dhe miqësoren ndaj Anglisë (11 shtator).

Behrami javë më parë kishte deklaruar se pensionohet nga përfaqësuesja, pasi Petkoviq përmes një telefonate ia kishte bërë të ditur se nuk llogarit në të.

Kjo më pas kishte bërë bujë në Zvicër. Xhemaili nuk ka thënë se pensionohet, por nuk është ftuar nga Petkoviq. Të dy ishin në botërorin "Rusia 2018" dhe ishin prej lojtarëve bartës të Zvicrës.

Por prapë te Zvicra kanë mbetur katër futbollistë shqiptarë. Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka janë ftuar sërish, ndërsa është kthyer edhe Admir Mehmedi që mungoi në botëror për shkak të një lëndimi. Emër i ri te Zvicra është sulmuesi Albian Ajeti. Ai është pjesë e Baselit dhe është prej dy debutuesve te "helvetikët" krahas Kevin Mbabus.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).