Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rikthehen Ajeti e Shaqiri te Zvicra, mungon Zeqiri

Shqiptarët Albian Ajeti dhe Xherdan Shaqiri janë në listën e përzgjedhësit Murat Yakin për duelet e muajit tetor, të rëndësishme për kualifikimet e Kampionatit Botëror të vitit tjetër.

Zvicra më 9 tetor do të luajë si nikoqire e Irlandës Veriore, ndërsa tri ditë më vonë do të ballafaqohet me Lituaninë në Vilnius.

Në Grupin C, Zvicra ka tetë pikë pas katër ndeshjeve, ndërsa prinë në tabelë Italia me 14 pikë.

Sulmuesi Ajeti është rikthyer në skuadër pas një kohe të gjatë, ndërsa Andi Zeqiri që ishte pjesë e helvetikëve në duelet e fundit, nuk është ftuar. Granit Xhaka ka lëndim të rëndë në gju dhe do të mungojë tre muaj.

“Ajeti dhe Itten kanë treguar se mund të shënojnë gola. Ata janë lojtarë të zonës së rrezikshme dhe për këtë arsye i kam ftuar në ekip. Graniti është i pazëvendësueshëm. Ai nuk është vetëm kapiten, por edhe lider që drejton dhe mbanë ekipin e bashkuar”, ka thënë të premten në konferencën për shtyp përzgjedhësi Yakin.

Xherdan Shaqiri do të jetë kapiten i skuadrës në mungesë të Xhakës.

“Është e rëndësishme që Shaqiri e ka gjetur ritmin dhe do ta ketë një rol të rëndësishëm. Ai nuk ishte pjesë e skuadrës kur u transferua te skuadra e re sepse nuk ishte në formën më të mirë fizike. Me rikthimin e Shaqirit dhe Embolos kam më shumë mundësi në fazën e sulmit”, ka nënvizuar Yakin.

Artikuj të ngjashëm