Sulmuesi Albian Ajeti pritet që për herë të parë të jetë startues te skuadra e West Ham Unitedit, kanë njoftuar mediumet angleze të martën.
Bëhet e ditur se Ajeti do të jetë titullar në ndeshjen kundër Newcastlet, që West Hami e luan në shtëpi të shtunën në kuadër të xhiros së 11-të të Premier Leagues, transmeton “Koha Ditore”. Ajeti deri më tash ka vetëm dy paraqitje në kampionat dhe në të dy ndeshjet është inkuadruar nga banka e rezervistëve.
“Albian Ajeti pritet të jetë titullar prej ndeshjes së ardhshme, pasi trajneri Manuel Pellegrini është i kënaqur me atë që ka treguar sulmuesi në stërvitje. Po ashtu, edhe tifozët e ekipit nëpër rrjetet sociale kanë kërkuar aktivizimin e Ajetit, i cili iu bashkua West Hamit në fund të afatit kalimtar të verës”, shkruan “Hammer News”.
Ajeti ,22-vjeçar, u transferua te West Hami nga Baseli për nëntë milionë euro. Me ekipin londinez ka kontratë deri në vitin 2023 me mundësi vazhdimi edhe për dy vjet të tjera. West Hami është i dhjeti në Premier League me 13 pikë të mbledhura pas dhjetë xhirove të zhvilluara.