Gol në ndeshjen e parë, asistim i bukur në xhiron e dytë. Sulmuesi 25-vjeçar, Albion Ademi, ka nisur furishëm në Superligën e Kinës në futboll. Ai po luan me sukses te skuadra Tianjin Jinmen Tiger, që pas dy xhirosh është në vendin e dytë.
Vetëm më 14 shkurt Ademi iu bashkua Tianjinit. U transferua nga skuadra suedeze Varnamo për 500 mijë euro. Është shifër rekord për këtë klub nga Suedia.
Të gjitha ekipet e Superligës kineze i kanë nga pesë të huaj në përbërje. Ata nuk janë të nivelit më të lartë, si disa vjet më parë, por e bëjnë dallimin. Interesimi për Kampionatin e Futbollit në Kinë është i madh, ndërsa Ademi e sheh transferimin në këtë vend si mundësi të mirë.
“E kam pasur në mendje që të nis fuqishëm, me gola dhe asistime. Në dy ndeshjet e para ka shkuar mirë dhe shpresoj të vazhdoj kështu”, ka thënë Ademi të hënën për KOHËN.
Ishte agjenti i tij që ia ofroi kosovarit mundësinë për transferim në Kinë. Ai e kishte pyetur nëse ishte i interesuar të luante në Azi. I erdhën oferta nga Koreja e Jugut dhe Kina dhe në fund u konkretizua marrëveshja me Tianjin Jinmen Tiger.
Ademi është zhvilluar në futbollin e Finlandës. Ka luajtur për skuadra si TPS, Inter Turku, IKF Mariehamn e disa të tjera. Në vitin 2021 u transferua në Suedi te Djurgardeni. Kishte periudha huazimi te Lahti në Finlandë dhe te IFK Varnamo në Suedi, ndërsa vetëm në nëntor të vitit të kaluar firmosi kontratë të rregullt me Varnamon. Madje kontrata hyri në fuqi në fillim të këtij viti dhe nuk vonoi shumë dhe u realizua transferimi në futbollin kinez.
Ademi në Kinë është futbollisti i vetëm shqiptar.
“Klubi është i mirë, ndërsa synimi është që të jemi në top 3 në kampionat. Synimet e mia janë që të luaj mirë, të jem efikas, të kemi kampionat të mirë me skuadër dhe pikë të shumta. Në kampionat niveli është i mirë. Secila skuadër i ka nga pesë të huaj dhe ata bëjnë që niveli të jetë më i lartë”, ka shtuar Ademi.
Ai vlerëson se ka bërë hapin e duhur duke u transferuar në Kinë.
“Synoj që me paraqitje të mira të transferohem në ndonjë ekip më të mirë në Azi”, thotë Ademi.
Ai ka luajtur për U17, U18 e U19 të Finlandës. Më pas i regjistroi pesë paraqitje për U21 të Shqipërisë. Synon që në të ardhmen të paraqitet për Kombëtaren A.
“Shpresoj të vazhdoj me gola e asistime. Do të punoj shumë që të vazhdoj njëjtë. Synim e kam që të luaj për Shqipërinë. Shpresoj se së shpejti do ta fitoj rastin ta dëshmoj veten”.
Së fundi nuk ka pasur ndonjë kontakt me Federatën Shqiptare të Futbollit, apo me Federatën e Futbollit të Kosovës.
“Momentalisht nuk ka ndonjë kontakt, por shpresoj se do të ketë ndonjë kontakt së shpejti. Për mua është ëndërr të luaj për Kombëtaren. Unë kam ndeshje me të rinjtë e Finlandës dhe të Shqipërisë. Kjo është e mirë për karrierë, por paraqitjet me Kombëtaren A ka shumë më tepër rëndësi”, ka theksuar Albion Ademi.
Klubet kineze për disa vjet kishin investuar miliona të shumta për të afruar lojtarë e trajnerë cilësorë nga Evropa. Por hoqën shpejt dorë nga transferimet e shtrenjta, duke limituar shpenzimet. Ende skuadrat kineze bëjnë transferime të lojtarëve të huaj, por jo prej atyre më të shtrenjtëve.
Si shumica e lojtarëve të huaj në Kinë, Ademi e mendon kthimin në futbollin evropian.
“Jam ende i ri dhe kam shanse të kthehem në Evropë. Por do ta jap këtu maksimumin fillimisht dhe shpresoj se më pas do të ketë interesim për mua nga vende me futboll të zhvilluar”, ka thënë Ademi.