Jo shumë kohë më parë kapiteni shqiptar i Dinamo Zagrebit, Arijan Ademi u akuzua për mungesë humanizmi. Mediat kroate kishin shkruar shumë për vendimin e lojtarëve të Dinamos për të mos pranuar vendimin e klubit për ulje të pagave.
Akuzat më të mëdha ishin bërë ndaj Ademit, kapitenit të skuadrës. Kishte kritika të shumta ndaj reprezentuesit të Maqedonisë së Veriut, ndërsa ai nuk është deklaruar për kohë të gjatë. Ndërkohë marrëveshja për ulje të pagave është arritur, ndërsa Dinamo si pasojë e gjithë zhvillimeve është ndarë me trajnerin e vlerësuar lart, Nenad Bjelica.
Mesfushoriu Ademi vetëm të shtunën ka folur për Sportske Novosti, gazetën prestigjioze kroate. Ka pranuar se është përballur me presion pas situatës së krijuar, por se ia ka dalë të menaxhojë atë. Ai madje thotë se është mësuar me vështirësi dhe se ato e forcojnë.
SN ka shkruar se karriera dhe jeta e Ademit është plot me rënie e ngritje, situata të papritura.
“Po, gjatë gjithë karrierës më përcjellin disa gjëra pa fat dhe kjo është vetëm në vazhdën e tyre. Por kjo nuk do të më ul si njeri. Përkundrazi, çdo fatkeqësi më forcon edhe më shumë. Në çdo fatkeqësi, për fat të keq, kuptoj diçka trishtuese për njerëzit. Mund të sillni shumë të mira dhe rezultate konkrete e më pas masa për vetëm një moment, pa mëshirë fare, iu shqyen”, ka thënë Ademi.
28-vjeçari është te Dinamo prej vitit 2010. Në tetor të vitit 2015 ishte dënuar me katër vjet suspendim për doping. Por dënimi i ishte zvogëluar në dy vjet dhe ai filloi të luaj në tetor të vitit 2017. Dinamo e kishte përkrahur gjatë kohës sa ishte i suspenduar dhe ia ofroi rastin pasi u kthye në futboll. Për këtë akuzat ndaj Ademit ishin edhe më të mëdha, pasi ishte raportuar se ai nuk po pranonte ulje të pagës së majme te Dinamo.
Ademi ka folur për anën tjetër të tregimit, raporton Koha.net.
Edhe
Pas largimit nga Dinamo, Ademi nuk e mban nivelin
“Problemi më i madh ishte mënyra se si ulja e pagave ishte prezantuar në zhveshtore dhe për atë se si informatat u publikuan pa negociata. Nuk kishim kohë që të merremi vesh. Ishte diskutabile që masat është dashur të zgjasin një vit, pasi në atë moment nuk e kemi ditur se çka do të ndodhë për një javë apo një muaj. Por problemi më i madh për lojtarët ishte pagesa e ratës së kontratës, që është dashur të paguhet para se të shfaqet kriza. Secili nga ne ka kontrata të ndryshme dhe vlerësoj se është dashur më tepër kohë për realizim dhe marrëveshje. Klubi vendosi që të shkurtoj masat në gjashtë muaj me kushte të njëjta dhe ka kërkuar përgjigje, po apo jo. Ishte pak shpejtë për lojtarët dhe ka ngjallur konfuzion dhe shqetësim. Nuk i kanë thënë jo masave të kursimit, por i kanë thënë jo atij modeli”, ka treguar Ademi.
Ai është i dëshpëruar që nuk ishin të bashkuar me klubin në momentin e vështirë, por thotë se kjo nuk do të ndikojë në të ardhmen. Ademit i vjen keq që për problemin ka marrë vesh e gjithë Kroacia.
“Më pas negociatat ishin të mira. Klubi ka pranuar të bëjë pagesën e ratës, ndërsa ne kemi pranuar kursimin për gjashtë muaj. Unë e kam ditur që shtiza do të thyhej në shpinën time, jam kapiten. E di që më është bërë mirë nga klubi, por nuk që nën barrën e mirënjohjes të shkoj kundër ndërgjegjes. Në të kundërtën humbet kuptimi i bamirësisë. Ai i cili udhëheq 25 lojtarë ka përgjegjësi ndaj tyre. Unë mund të sakrifikoj ëndrrat e mia dhe veten për klub, pasi klubi më ka ndihmuar, por nuk mund të bëjë këtë me lojtarët. Si kapiten, kam zgjedhur të paraqes kërkesat e lojtarëve duke vlerësuar se klubi nuk do të dëmtohej me pranimin e kërkesave të tyre. Sa i takon fjalëve se lojtarët nuk kanë karakter dhe nuk janë solidar, duhet të dini që kjo skuadër ka marrë pjesë vazhdimisht në aksione humanitare. Ne bashkëndiejmë me të prekurit nga kriza”, ka thënë Ademi.