Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ademi e Grezda shënojnë në derbin kroat

Arijan Ademi ka shënuar dy gola në fitoren e Dinamo Zagrebit me shifrat 4:2 ndaj Osijekut. Ademi shënoi golin e dytë në minutën e 38-të dhe të katërtin në minutën e 68-të.

Për Osijekun golin e parë e shënoi Eros Grezda në minutën e 74-t të ndeshjes së zhvilluar të shtunën, që ishte e vlefshme për xhiron e 21-të të elitës së futbollit të Kroacisë, shkruan “Koha Ditore”. Te Dinamo Zagrebi në fushë u inkuadrua në minutën e 84-të mbrojtësi Amir Rrahmani, kurse te Osijeku u paraqit si titullar edhe Muzafer Ejupi. Ejupi luajti deri në minutën e 66-të.

Po në Kroaci, golin e fundit në fitoren 4:0 të Rijekës ndaj Istras e shënoi Leonard Zhuta (89').

Ndërkohë në kategorinë e dytë të Portugalisë ka realizuar Agim Zeka. Zeka të shtunën shënoi golin e parë për Varzimin që mposhti Penafielin me shifrat 3:2.