Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

A do të njihet Evropiani i vitit 2021 si “Euro 2020”

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka dhënë të premten disa shpjegime lidhur me vendimin për të shtyrë Evropianin e futbollit për vitin 2021.

Evropiani është dashur të mbahet këtë verë, por është shtyrë për verën e vitit 2021. Do të mbahet prej 11 qershorit deri më 11 korrik të vitit të ardhshëm.

Aktualisht të gjitha garat evropiane janë të pezulluara, ndërsa UEFA nuk e di se kur do të luhen ndeshje tjera evropiane, raporton Koha.net.

“Është herët të thuhet se kur do të luhet futbolli sërish. Ashtu si kemi bërë prej paraqitjes së koronavirusit, do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe autoritetet nacionale. Vendimi i së martës ka dëshmuar që jemi të gatshëm të marrim vendime të vështira, ndërsa ato gjithnjë do të jenë të bazuara në këshillat e ekspertëve, duke pasur shëndetin prioritet”, thuhet nga UEFA.

Konfederata Evropiane vlerëson se shtyrja e Euro 2020 ishte zgjidhja më e mirë për futbollin kontinental. UEFA shpreson që të gjitha garat ndërkombëtare dhe vendore që janë të pezulluara aktualisht, do të përfundojnë.

UEFA po ashtu shpreson që Evropiani do të zhvillohet në 12 shtete, ashtu si është planifikuar. Për më tepër Evropiani që do të organizohet në vitin 2021, do të quhet “Euro 2020”.

“Ne besojmë se Evropiani do të organizohet në të njëjtat vende, duke siguruar që turneu t’i përmbahet vizionit fillestar. Turneu do të njihet ende si ‘Euro 2020’”, ka shkruar UEFA.

Synim i saj është që edicioni aktual i garave të përfundoj më 30 qershor, por vetëm nëse situata përmirësohet.

“Synimi ynë është të kompletojmë garat evropiane dhe ato nacionale deri në fund të edicionit aktual sportiv, deri më 30 qershor, nëse situata përmirësohet. Gjithsesi, shëndeti i të gjithë njerëzve të përfshirë duhet të garantohet së pari. Grupet punuese do të vlerësojnë skenarë të ndryshëm. Duhet të presim para se të sjellim përfundime”.

UEFA ka njoftuar se do të ndryshojë orarin e finaleve të Ligës së Kombeve të UEFA-s, Evropianit të futbollisteve dhe Evropianit U-21.

Artikuj të ngjashëm