46 ditë para fillimit të Kupës së Botës, ylli i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, e luan ndeshjen e fundit garuese me Chicagon. Përzgjedhësi Yakin është i bindur se Shaqiri do të jetë gati për Katar
Ylli i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, ka dështuar të kualifikohet me Chicago Fire në plejofin e MLS-së dhe do ta përfundojë edicionin më 9 tetor. 39 ditë para ndeshjes së fundit përgatitore për Botëror ndaj Ganës dhe 46 ditë para ndeshjes së parë në Botëror ndaj Kamerunit, më 24 nëntor.
Mbi një muaj pa ndeshje, përgatitja ideale për Kupën e Botës duket ndryshe. Shaqiri dhe federata po ashtu e dinë këtë. Për këtë ideja e shkëputjes së kontratës së Shaqirit me Chicago Fire pas stinorit është shqyrtuar, në mënyrë që ai të ishte në gjendje të luante disa ndeshje në Superligën e Zvicrës me klubin partner të Chicagos, Lugano. Tani një ide e tillë ka rënë poshtë.
Ai duhet ta mbajë formën me stërvitje.
“Ende nuk e dimë se si dhe ku do të ushtrojë. Do ta diskutojmë me qetësi dhe do të gjejmë zgjedhjen më të mirë”, thotë Shaqiri.
Ka shumë gjasa që FC Lugano ta pranojë një mysafir në stërvitje në të ardhmen e afërt.
Përzgjedhësi Murat Yakin nuk është i brengosur që Shaqiri nuk do të jetë 100 për qind i gatshëm për Kupën e Botës në Katar, pas javësh pa ndeshje serioze. Ai thotë: “Shaqiri është inteligjent dhe me përvojë të mjaftueshme. Ai kthehet shpejt në ritëm. Atij nuk i duhen shumë ndeshje për të qenë gati. Jam i bindur që Shaqiri do të luajë rol të rëndësishëm në Kupën e Botës”.
Shaqiri do të pushojë disa ditë pas stinorit në SHBA. Për dallim nga kolegët e tij në “Nati”, ai nuk ka pushuar gjatë verës.
“Ai ka luajtur shumë ndeshje dhe i duhet pushimi kohë pas kohe”, ka thënë Yakin.
Shaqiri është i lumtur për këtë.
“Nuk kam pasur kohë për pushime këtë vit. Disa ditë pushim do të më bëjnë mirë. Më pas do të jem gati sërish”.
Nëse Shaqiri mërzitet pa ndeshje garuese, Yakin ka një ide.
“Ndoshta Shaqiri do të gjejë kohë për të lexuar një libër atëherë”.
Shaqiri dhe Ruben Vargas janë karakteret kryesore të një libri për fëmijë, së bashku me lojtarët e Zvicrës, Lia Waelti dhe Gaelle Thalmann, “Hop Schwiiz”.
“Duam që me ekipin përfaqësues të kemi qasje edhe te tifozët e vegjël në dhomat e tyre”, thotë shefi për media në Federatën e Zvicrës, Adrian Arnold.
“Është e veçantë që tani jam protagonist në libër për fëmijë. Shpresoj se atyre do t’u pëlqejë. Futbolli duhet të jetë argëtues”, thotë Shaqiri.
Por, cilat libra i ka lexuar si djalosh lojtari me 106 paraqitje për Zvicrën.
Shaqiri qesh dhe thotë: “Jo shumë ndoshta, pasi isha vazhdimisht jashtë duke luajtur futboll. Por, mbaj mend ‘Globi’ dhe ‘Tim und Struppi’”.