FFK-ja publikon agjendën e ceremonisë së varrimit të Fadil Vokrrit

FFK-ja publikon agjendën e ceremonisë së varrimit të Fadil Vokrrit

09 qershor 2018 10:56

(E plotësuar 15:39) Federata e Futbollit e Kosovës njofton se ceremonia e varrimit e Presidentit Fadil Vokrri do të zhvillohet nesër më 10 qershor në Prishtinë.

“Ceremonia do të organizohet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Presidenti Fadil Vokrri, si figurë qendrore e futbollit të Kosovës dhe ndërkombëtarizimit të tij, në shenjë nderimi, do të përcillet me të gjitha nderimet shtetërore”, thuhet në njoftim.

Ceremonia e varrimit do të zhvillohet nesër më 10 qershor në Hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë sipas agjendës së mëposhtme:

12:00 – 13:30 Homazhe, Kuvendi i Kosovës

14:00 – 15:00 Mbledhje komemorative, Kuvendi i Kosovës

17:00 Varrimi në varrezat e qytetit në Prishtinë

Federata e Futbollit e Kosovës ngushëllon të gjithë qytetarët e Kosovës dhe më gjerë për këtë humbje të madhe të sportit.


Varrimi i Vokrrit nesër në Prishtinë në orën 17:00

E plotësuar 13:25 - Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka ndërruar jetë sot pas sulmit që pësoi në zemër.

Lajmin për varrimin e të ndjerit Fadil Vokrri e ka dhënë nënkryetari i FFK-së Agim Ademi.

Ademi ka thënë se varrimi i Vokrrit do të bëhet nesër në Prishtinë në orën 17:00.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka thënë se në bazë të kompetencave të tij, ka autorizuar Protokollin e shtetit që të organizojë ceremoni shtetërore të varrimit, në shenjë nderimi për legjendën e sportit.

“Republika e Kosovës e ka për obligim nderimin dhe respektin për figurën e Fadil Vokrrit. Vokrri i dha frymë edhe shtetësisë së Kosovës duke u angazhuar çdo moment për ndërkombëtarizimin e sportit tonë. Pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA pa dyshim ishte meritë e angazhimit të tij të madh. Emri i tij i respektuar në futbollin evropian i mundësoi Kosovës qasje më të lehtë aty ku e ka vendin, andaj Vokrri meriton nderimin dhe respektin e të gjithëve”, ka shkruar Pacolli në Facebook.


Legjenda e futbollit të Kosovës dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ka vdekur sot në moshën 57-vjeçare.

Vokrri ka vdekur si pasojë e një sulmi në zemër. Sulmi në zemër ndaj Vokrrit ka ndodhur rreth orës 9:30 të mëngjesit derisa po bënte fitnes. Avdush Bajgora ka thënë për KTV se në emergjencë, Vokrri ka shkuar pa shenja jete. “Ne vetëm e kemi konfirmuar vdekjen”, ka thënë ai.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar edhe Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.


Kush ishte Fadil Vokrri

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë. Me futboll nisi të merret si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF “Llapi” në Podujevë.

Më pas në vitin 1980 kaloi tek KF “Prishtina”, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinës pati 88 paraqitje dhe realizoi 22 gola. Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola.

Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola. Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi.

Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992. Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës.

Pas çlirimit të Kosovës, ai, u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 e mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Më 15 janar, 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë katërvjeçar si kryetar i FFK-së. Ai ishte i diplomuar në Fakultetin e Menaxhmentit dhe Biznesit, kurse përveç gjuhës amtare zotëronte edhe gjuhët frënge, turke dhe serbo-kroate. Ai la pas bashkëshorten Editën dhe tre fëmijët, djemtë Gramozin e Albertin dhe vajzën Albanën.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

grobar beograd11/06/2018 09:32

One of the best player ever played for us. RIP legend, we ll never forget you.

Shto koment

Të ngjashme