Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

75 futbollistë në kampin e Kosovës në SHBA

Ka përfunduar kampi dyditor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në njoftimin e FFK-së, të enjten, thuhet se pjesëmarrës në këtë kamp për grupmoshat U15, U17 dhe U19 morën pjesë 75 futbollistë të rinj. Kampin e mbajtur të martën dhe të mërkurën e udhëhoqën përzgjedhësit e grupmoshave të reja të Kosovës, Ilir Nallbani, Arbnor Morina dhe Adil Maliqi.

“Komuniteti shqiptar në SHBA ka reaguar me mirëseardhje të ngrohtë ndaj këtij organizimi, duke e përgëzuar FFK-në për përkushtimin ndaj zhvillimit të talenteve të futbollit në diasporë. Ky kamp ofroi një platformë unike për lojtarët e rinj shqiptarë në Amerikë, duke iu mundësuar atyre që të prezantojnë aftësitë e tyre të futbollit para përzgjedhësve të ekipeve kombëtare”, shkruan në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Kosova mbështetet shumë në lojtarët shqiptarë që janë rritur në shtete të ndryshme. Ndërsa në kampin e SHBA-së thuhet se nuk ka munguar potenciali i lojtarëve të rinj, të cilët do të përcillen dhe bazuar në paraqitjet me klubet e tyre, mund të ftohen për të ardhmen që të jenë pjesë e ekipeve të Kosovës.

“Në këtë kamp, përzgjedhësit vlerësuan potencialin e pjesëmarrësve, duke shprehur bindjen se disa prej tyre do të kenë rritje të ndjeshme në të ardhmen. Ata do të vazhdojnë të përcjellin zhvillimin e tyre në klube dhe varësisht prej performancave të tyre do të vendosin rreth grumbullimit të tyre në ekipet kombëtare”, shkruan FFK.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) edhe më herët ka organizuar kampe nëpër shtete të ndryshme të Evropës, ndërsa në SHBA planifikon të mbajë kamp edhe në vitet e ardhshme.

Edhe 21 të ftuar nga Foda për kampin në Prishtinë Futboll 21 të ftuar nga Foda për kampin në Prishtinë

“FFK planifikon ta bëjë këtë kamp një traditë vjetore, duke vazhduar të përkrahë zhvillimin e talenteve dhe duke krijuar mundësi të barabarta për lojtarët shqiptarë në SHBA që të integrohen në ekipet e Kombëtares së Kosovës në të ardhmen”, shkruan tutje FFK-ja.

Komuniteti i shqiptarëve në vende të ndryshme të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është goxha i madh.