Sport

Vladi po shkëlqen te Lugano, mund të ftohet sërish nga Kosova

Descriptive Text

Shkëlqim Vladi pranoi një top brenda zonës së 16-metërsisht të Luzernit. Shtyu topin para dhe me gjuajtje të fortë shënoi gol. Goli i realizuar të dielën nga Vladi ishte i fitores për Luganon.

Lugano shënoi fitore të rëndësishme, 1:0 ndaj Luzernit, ndërsa për Vladin ishte goli i dytë rresht në Superligën e Zvicrës. Në total i ka gjashtë gola të realizuar në Superligë, dy për Kupë të Zvicrës e dy në Ligën e Konferencës, ndaj Beshiktashit dhe Club Brugget. 

Sulmuesi 23-vjeçar synon të shënoj edhe gola tjerë të rëndësishëm për skuadrën zvicerane.

“Nuk mund ta mohoj që jam i kënaqur me paraqitjet dhe golat që kam shënuar. Por nuk ndihem rehat vetëm me kaq. Unë jam sulmues dhe pozita më detyron të shënoj sa më shumë gola dhe të bëj të pamundurën. Kjo ndikon që unë të bëhem luftëtar duke mos u dorëzuar asnjëherë”, ka thënë Vladi për KOHËN, të hënën.

Synimet e kosovarit janë më të mëdha.

“Nëse jeton një ëndërr nuk ngopesh asnjëherë dhe synimet e mia janë të mëdha drejt arritjes së sukseseve të tjera”, është shprehur Vladi.

Vladi iu bashkua Luganos në korrik të vitit të kaluar nga Aarau. Më herët karrierë ka bërë edhe te kampioni i Zvicrës, Young Boysi.

Lugano është në vendin e katërt me 40 pikë. Lider është Young Boysi me 51 pikë.

Vladi pranon se gara për titull është e vështirë. Por ai pret që Lugano të përfundojë në mesin e skuadrave më të mira zvicerane.

“Nuk jam asnjëherë i kënaqur 100 % me veten dhe mundohem gjithmonë ta jap më të mirën për të realizuar synimet e mia dhe të klubit”.

Vladi ishte përfshirë në listën e përfaqësueses së Kosovës sa ishte pjesë e Aaraut. Nuk ishte grumbulluar, ndërsa thotë se ka pasur telashe me lëndime. Ai është i hapur të jetë pjesë e Kosovës.

“Deri më tani askujt nuk ia kam mbyllur dyert dhe nuk kam thënë asnjëherë jo. Kam qenë shumë krenar dhe i nderuar për interesimin e dyanshëm, por fatkeqësisht në atë kohë kur isha i ftuar te Kosova kisha lëndime të lehta”, është shprehur Vladi.

Kosova qëndron mirë në fazën e sulmit. Ka shumë lojtarë që po kalojnë formë të mirë në klubet e tyre. Sulmues i parë është Vedat Muriqi, por Vladi mund të jetë prej lojtarëve që mund të jetë konkurrent për një vend në repartin ofensiv. Forma e shfaqur së fundi rrit gjasat që ai të ftohet sërish.

Kosova në shkurt emëroi Franco Fodan selektor, ndërsa këtë muaj do t’i luaj dy ndeshje miqësore. Më 22 mars luan kundër Armenisë në Jerevan, ndërsa më 26 mars kundër Hungarisë në Budapest.