Hendbollistet e Kosovës U18 siguruan kualifikimin në Kampionatin Botëror nëpërmjet rrugës më të shkurtë. Por lojtaret e reja të Kosovës shpresojnë të mbesin gjatë pjesë e garës në Botërorin që prej 14 deri më 25 gusht mbahet në Kinë.
Hendbollistet kosovare të hënën janë kthyer nga Tashkenti i Uzbekistanit, ku të dielën siguruan kualifikimin në Botëror.
Për triumfin në “IHF Trophy Intercontinental”, të hënën në Federatën e Hendbollit të Kosovës është mbajtur konferencë për shtyp.
Kryetari i FHK-së, Eugen Saraçini, e ka vlerësuar historik kualifikimin në Botëror, ndërsa kryetrajneri Mitat Ferati dhe hendbolliste, Arona Krasniqi e Sara Gjergjaj premtuan angazhim maksimal në Botëror.
“Ky sukses besoj se do të jetë motiv i madh jo vetëm për hendbollin, por edhe për sportet e tjera, që të jenë konkurrues për të arritur suksese. Ne mendojmë dhe synojmë që në të ardhmen të jemi shumë më lart”, ka thënë Saraçini.
IHF Trophy është ngjarje e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit që për synim ka zhvillimin e hendbollit nëpër botë. Por ka ofruar një biletë për Botëror.
Kosova në vjeshtë kishte fituar IHF Trophy për zonën evropiane dhe kështu u kualifikua për fazën ndërkontinentale, ku triumfoi javën e kaluar.
Kryetarjneri i Kosovës U18, Mitat Ferati ka thënë se meritat më të mëdha i kanë hendbollistet.
“Angazhimi i vashave në secilën ndeshje ka bërë që të arrijmë këtë sukses të madh, kualifikimin në Botërorin U18. Çelësi i këtij suksesi është talenti që e posedojnë këto vasha pasi kanë dhënë më të mirën nga vetja. Deri tash kemi bërë paraqitje të mira dhe e kemi dëshmuar këtë, por ende nuk kemi hasur në ekipe që na presin në Kinë, ku do të mbahet Botërori. Krahas punës edhe disiplina e ka sjellë këtë sukses”, është shprehur Ferati.
Suksesin në Botëror e synojnë edhe hendbollistet. Arona Krasniqi tha se do të mundohen të paraqiten sa më mirë në Kinë.
“Është një arritje e madhe dhe do të jemi gati për Botëror, ku do të japim maksimumin për të bërë paraqitje sa më të mira. Ndjenjë më të mirë nuk besoj se do të ketë sesa të paraqitemi në Botëror, pasi ka dy vjet që kemi punuar për të arritur këtë sukses. Të gjitha lojtaret jemi angazhuar që të japim maksimumin në secilën ndeshje, pavarësisht nëse fitojmë apo humbim. Është një ndjenjë shumë e mirë që kemi arritur të kualifikohemi në Botëror”, ka thënë Krasniqi.
Sara Gjergjaj pranon se gara në Kinë nuk do të jetë e lehtë. Ajo thekson se do të mundohen ta prezantojnë Kosovën në mënyrën më të mirë.
“Ne vetëm duam të japim sa më shumë që të mundemi. E dimë vetë se jemi pak pasi hendbolli që do të luhet në Kinë është më i fortë sesa që e kishim në këtë turne, është hendbolli i Evropës, hendbolli më i mirë. Por prapëseprapë do të ushtrojmë sa më shumë, sepse do të jemi në Kinë dhe të japim sa më shumë që mundemi dhe ta luajmë lojën sikur dimë”, ka thënë Gjergjaj.
Prej sporteve ekipore vetëm Përfaqësuesja U21 e Kosovës në hendboll është kualifikuar në Kampionat Botëror deri më tani. Hendbollistët juniorë janë paraqitur në Kampionatin Botëror të mbajtur në Spanjë në vitin 2019, ndërsa ishin kualifikuar pikërisht përmes IHF Trophy.
Të hënën hendbollistet e reja u pritën në MKRS dhe në Komitetin Olimpik të Kosovës.