Sport

Napoli me trajner të ri synon fitore ndaj Barcelonës

Napoli do të përpiqet për një fillim të ri e të suksesshëm, kur të përballet me Barcelonën të mërkurën mbrëma në ndeshjen e parë të një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve. Ndeshja zhvillohet prej orës 21:00 në stadiumin “Diego Armando Maradona”, ndërsa do të jetë debutuese për trajnerin Franceso Calzona. Ai vetëm të hënën mbrëma u emërua trajner i Napolit, ndërsa punën e ka nisur të martën. Calzona erdhi në vend të Walter Mazzarrit, që u shkarkua po të hënën. Mazzarri është trajneri i dytë i shkarkuar këtë edicion te Napoli.

Kampioni në fuqi i Serie A është në vendin e nëntë në kampionat, pozitë më e keqe se ajo në të cilën gjendej me Rudi Garcian, trajnerin e parë të shkarkuar këtë edicion. Mazzarri ka qëndrua në krye të skuadrës vetëm tre muaj.

Calzona do të ketë sfidë të madhe në ndeshjen e parë si trajner i një skuadre të rëndësishme evropiane. Pos një ndeshje prestigjioze, sfida e së mërkurës mbrëma do të jetë vendimtare për Napolin, që rastin e vetëm për pak lavdi këtë edicion e ka në Champions. Gjasat për mbrojtje të titullit kanë humbur shumë kohë më parë.

Napoli është 27 pikë prapa liderit në Serie A, Interit, dhe gjasat për kualifikim në Champions janë fare të vogla, edhe nëse Italia e fiton vendin e pestë në garën elitare evropiane. Napoli është nëntë pikë para Atalantas dhe Bolognas dhe ka shfaqur pak shenja se mund të zvogëlojë dallimin në pikë, duke dështuar të shënojë gol në nëntë ndeshje nën drejtimin e Mazzarrit.

“Po fillojmë sërish nga sot. Po nisim një rrugë të re. Ekipi ishte i hapur ndaj meje. Kemi shkëmbyer disa fjalë, tani na duhen fakte”, ka thënë Calzona të martën mbrëma në konferencë për shtyp.

“Tifozët e Napolit janë të veçantë. Është përgjegjësi e jona t’i bëjmë ata të lumtur me paraqitjet tona dhe me rezultate. Barcelona është ekip i fortë, një prej më të mirëve në Evropë. E pranojmë forcën e Barçës, por nuk jemi të frikësuar pasi jemi Napoli. Presidenti De Laurentiis është i pakënaqur me situatën aktuale. Ai ka kërkuar nga unë që të besoj në objektivat që kemi, që është të ecim para në Ligën e Kampionëve dhe të jemi në vendin e katërt në ligë”, ka shtuar trajneri i ri i Napolit.

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, është prej lojtarëve më të rëndësishëm defanzivë te Napoli dhe kjo nuk pritet të ndryshojë me trajnerin e ri.

Barcelona, po ashtu, nuk është në pozitë të mirë. Ka mbetur prapa Real Madridit në garën për titull në La Liga. Barça është e treta në tabelë me 54 pikë. Real Madridi udhëheq me 62 pikë, ndërsa Girona i ka 56 pikë në pozitën e dytë.

Trajneri i Barcelonës, Xavi, ka njoftuar se do të largohet në fund të edicionit. Por pozita jo e mirë në La Liga dhe largimi i Xavit bëjnë që Barcelona të jetë edhe më e përkushtuar për sukses në Champions.

Barcelona në ndeshjen e fundit fitoi 2:1 ndaj Celta Vigos dhe tjetër fitore synon në Champions. Por, sipas Xavit, gjasat janë të barabarta me Napolin.

“Kemi ardhur me entuziazëm dhe shpresë. Është skenar i çuditshëm të luajmë ndeshje të madhe ndaj Napolit, ekipit që ndryshoi trajnerin pak para sfidës. Nuk është e lehtë të përgatitet kjo ndeshje. Në fund të fundit, ne po përballemi me kampionin italian”, ka thënë Xavi Hernandez në konferencën për shtyp të mbajtur të martën mbrëma në Napoli.

“Nuk konsideroj se ne jemi favoritë. E shoh si 50 me 50 dhe duhet të tregojmë në fushë se jemi ekip më i mirë se Napoli. Nesër mbrëma dhe në ndeshjen e dytë, gjërat e tjera nuk kanë rëndësi”, ka shtuar Xavi.

Të mërkurën prej orës 21:00 është edhe ndeshja Porto – Arsenal.

Porto ka mbetur pak prapa Benficas dhe Sportingut në garën për titull në Portugali. I ka 48 pikë, shtatë më pak se dy skuadrat e tjera.

Ndërkohë Arsenali po zhvillon betejë të fortë me Liverpoolin dhe Manchester Cityn për titull në Angli. Arsenali është i dyti me 55 pikë. Liverpooli udhëheq me 57 pikë, ndërsa Manchester City është i treti me 53 pikë, por ka një ndeshje më pak të luajtur.