Ekipi i policisë së Parisit për asgjësimin e bombave pret që Lojërat Olimpike që mbahen vitin e ardhshëm t'i paraqesin “sfidë të madhe”, raporton "AP". Kjo skuadër ka punuar me organizatorët e lojërave olimpike “Parisi 2024” për të përcaktuar nivelin e duhur të ndërhyrjes për asgjësimin e bombave gjatë Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike në kryeqytetin francez, tha drejtori i laboratorit qendror të policisë.
“Lojërat Olimpike janë një sfidë absolutisht e vërtetë”, pranoi Christophe Pezron për ngjarjen që do të mbahet prej datës 26 korrik deri më 11 gusht.
Pezron zbuloi pak a shumë edhe strategjinë e ekipit të policisë, i cili do të kujdeset që siguria të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm për këtë ngjarje të rëndësishme sportive.
“Për sa i përket praktikës së asgjësimit të bombave ka dy faza të cilat janë mjaft të ndara për ne nga fazat e inspektimit të vendit. Secili prej vendeve të Lojërave Olimpike do të inspektohet përpara se t'iu dorëzohet organizatorëve. Kemi kryer një inspektim, një lloj prove, në ‘Stade de France’ gjatë Kupës së Botës në ragbi. Pra, faza e parë janë këto inspektime të të gjitha vendeve, ku do të mbahen ngjarjet e Lojërave Olimpike”, u shpreh ai. “Dhe faza e dytë, që do të kryhet paralelisht, është se ne imagjinojmë se duke pasur parasysh popullsinë që do të lëvizë gjatë Lojërave Olimpike, ka të ngjarë të përballemi me një rritje të pakove të braktisura dhe të dyshimta. Pra sigurisht që do të shohim një aktivitet të madh ndërhyrjesh”.
Të hënën anëtarët e skuadrës së asgjësimit të bombave u njoftuan se në stacionin e trenit “Montparnasse”, në pjesën për bagazh të braktisur, është një çantë të cilën ekipi e shpërtheu.
Një çantë tjetër, e cila u zbulua se i përkiste një nxënësi shkolle, gjithashtu shpërtheu më vonë të hënën.
Alarmet për bomba në vendet turistike si muzeu i Louvret dhe pallati Versailles janë rritur gjithashtu pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor.
Franca ka qenë në gatishmëri të lartë që nga rritja e pragut të sigurisë në tetor, kur një burrë me origjinë çeçene me thikë vrau një mësues në një shkollë në Francën veriore. Të shtunën e kaluar një person vdiq dhe dy të tjerë u plagosën pasi një burrë sulmoi turistët në qendër të Parisit pranë Kullës së Eiffelit. Sulmi ndodhi në “Quai de Grenelle” - një vend i përfshirë gjithashtu në planet për ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të vitit 2024.
E pyetur nëse qeveria po mendonte një ndryshim në planin e saj për të mbajtur ceremoninë në lumin Seine, me disa qindra mijëra spektatorë që priten përgjatë brigjeve të tij, mes kërcënimeve për sigurinë, ministrja franceze e sportit, Amelie Oudea-Castera, tha se nuk kishte “Plan B”.
Rreth 160 varka do të nisen më 26 korrik nga “Pont d'Austerlitz” për një udhëtim gjashtë kilometra drejt “Pont d'Iena”, një ngjarje që Tony Estanguet, kreu i komitetit organizues të lojërave, e përshkroi si “unike dhe spektakolare”.
“Ne jemi duke u përgatitur për Lojërat Olimpike për më shumë se 18 muaj”, shtoi Pezron. “Për 18 muaj, ne kemi qenë në dialog të vazhdueshëm me organizatorët e ‘Parisi 2024’, me autoritetet tona, për të përcaktuar nivelin e duhur të ndërhyrjes për asgjësimin e bombave. Nuk kemi ndonjë frikë apo stres, pasi po punojmë gjithnjë e më shumë për të siguruar që organizata jonë të jetë sa më efikase në ofrimin e sigurisë maksimale për të gjithë gjatë Lojërave Olimpike”.