Sport

Dortmundi synon ta mposhtë Leverkusenin

Liderin aktual të Bundesligës, Bayer Leverkusenin e pret një ndeshje e vështirë në kuadër të xhiros së 13-të. Në shtëpi, Leverkuseni do të përballet me Borussia Dortmundin, në ndeshjen më interesante të kësaj xhiroje të kampionatit gjerman. Kjo ndeshje luhet të dielën prej orës 17:30 dhe Dortmundi synon t’ia shkaktojë humbjen e parë Leverkusenit dhe atë duke e mposhtur në shtëpi. Leverkuseni, ku aktivizohet Granit Xhaka ka treguar paraqitje fantastike deri më tani dhe së bashku me Bayernin, janë skuadrat e vetme pa humbje në kampionat. Prin në tabelë me 34 pikë, dy më shumë se kampioni në fuqi, Bayern Munichu. Në anën tjetër, Dortmundi ka dhjetë pikë më pak se Leverkuseni, por është i motivuar për këtë derbi pasi në mesjavë triumfoi bindshëm ndaj Milanit në Ligën e Kampionëve.

Për dallim prej Leverkusenit, skuadra e Bayernit nuk pritet të ketë telashe këtë xhiro pasi luan në shtëpi me Union Berlinin. Bayerni vlerësohet favorit i madh në këtë përballje që luhet të shtunën prej orës 15:30. Union Berlini ka treguar formë të dobët këtë edicion, ku me vetëm 7 pikë të mbledhura renditet i parafundit në tabelë. Po ashtu, barazimi i xhiros së shkuar i dha fund serisë së Union Berlinit prej katër humbjeve rresht.

Skuadra tjetër që po rivalizon Leverkusenin dhe Bayernin këtë edicion është Stuttgarti që renditet i treti në tabelë me 27 pikë. Stuttgarti, të shtunën por prej orës 18:30 luan në shtëpi kundër skuadrës së Werder Bremenit.