Pas barazimit xhiron e shkuar, skuadra e Barcelonës synon të kthehet te fitorja këtë vikend në kampionatin spanjoll. Megjithatë, misioni i Barcelonës do të jetë vështirë pasi përball do ta ketë Atletico Madridin. Dueli i këtyre dy skuadrave është edhe më interesanti i xhiros së 15-të në La Liga, ndërsa luhet të dielën prej orës 21:00. Barcelona është e katërta në tabelë me 31 pikë, sa i ka edhe Atletico Madridi por që zë vendin e tretë. Në pesë ndeshjet e fundit në kampionat, Atletico ka katër fitore dhe një humbje, ndërsa Barcelona krahas barazimit ka edhe një humbje e tri fitore. Të dyja skuadrat po luftojnë për titullin e kampionit, ndërsa Barcelona në këtë derbi do të jetë e hendikepuar, pasi në portë nuk do ta ketë të lënduarin Marc-Andre ter Stegen. Megjithatë, i gatshëm për lojë do të jetë portugezi Joao Cancelo, i cili në fitoren ndaj Portos pësoi një lëndim të lehtë.
Real Madridi që është lider me 35 pikë, konsiderohet favorit ndaj Granadas së parafundit në tabelë. Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën prej orës 18:30 dhe Reali pritet të mbetet në pozitën e parë edhe pas kësaj xhiroje.
Po ashtu, të shtunën luan edhe Girona, ekip që po ashtu ka 35 pikë dhe zë vendin e dytë në La Liga. Prej orës 14:00, Girona e pret në shtëpi skuadrën e Valencias që në dy ndeshjet e fundit ka marrë vetëm një pikë. Ndërkohë, Girona është në një seri prej një barazimi dhe katër fitoreve në pesë ndeshjet e fundit në kampionat.
Te fitorja në këtë xhiro synon të rikthehet edhe Sevilla, ekip që në pesë ndeshjet e fundit ka katër barazime dhe një humbje. Sevilla, të dielën prej orës 18:30 e pret në shtëpi skuadrën e Villarrealit.