Sport

Napoli i vendosur ta ndalë Interin

Kampioni në fuqi i Italisë, Napoli, ka rastin ideal për ta ndalur serinë impresive të Interit në kampionat. Në fakt, dueli mes Napolit dhe Interit, është edhe derbi i xhiros së 14-të në Serie A. Me këtë ndeshje që zhvillohet të dielën në Napoli prej orës 20:45 edhe mbyllet kjo xhiro e kampionatit italian. Interi është në një seri impresive prej shtatë ndeshjeve pa humbje në kampionat, ku ka regjistruar pesë fitore dhe dy barazime. Disfatën e fundit, Interit ia shkaktoi Sassuolo në fund të muajit shtator. Aktualisht, Interi ka 32 pikë derisa Napoli është në kuotën e 24 pikëve dhe në këtë përballje futet pas fitores në udhëtim tek Atalanta. Napoli krahas tri fitoreve, e ka edhe një barazim e një humbje në pesë ndeshjet e fundit kampionale. Për trajnerin Walter Mazzarri, kjo do të jetë ndeshja e tretë në krye të Napolit, përfshirë këtu edhe humbjen në Ligën e Kampionëve nga Real Madridi.

Po ashtu, fitore në këtë xhiro synon edhe skuadra e Milanit, që do të përballet me Frosinonen. Kjo përballje luhet të shtunën prej orës 20:45 në stadiumin “San Siro”. Milani xhiron e shkuar u rikthye te fitorja pasi në katër ndeshjet e mëparshme kishte dy barazime dhe dy humbje.

Të shtunën, por prej orës 18:00, luhet edhe ndeshja Lazio – Cagliari, ndërsa në orën 15:00 përballen Genoa me Empolin.

Duel tjetër interesant, por që luhet të dielën, do të jetë ai ndërmjet Sassuolos dhe Romës, i cili nis në orën 18:00. Sassuolo ka vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit, ndërsa Roma ka regjistruar vetëm një humbje dhe është ngjitur në pozitën e pestë në tabelë me 21 pikë të grumbulluara.