Xhiroja e 14-të e kampionatit anglez do të karakterizohet me dy derbi, ku njëri zhvillohet të shtunën dhe tjetri të dielën. Derbi i parë do të jetë ai ndërmjet Newcastle Unitedit dhe Manchester Unitedit, i cili luhet të shtunën prej orës 21:00. Newcastle xhiron e shkuar e mposhti 4:1 Chelsean dhe po synon fitoren edhe ndaj Manchesterit. Skuadra e Manchesterit në pesë ndeshjet e fundit kampionale ka katër fitore dhe një humbje, ndërsa Newcastle ka tri fitore, një barazim dhe një humbje. Zë vendin e shtatë në tabelë me 23 pikë, një më pak se Manchesteri që renditet i gjashti. Të dyja skuadrat në mesjavë kanë barazuar në Ligën e Kampionëve, me Newcastlen që ishte mysafir i PSG-së dhe Manchesterin që luajti në Stamboll ndaj Galatasarayt.
Derbi i dytë i kësaj xhiroje është ai që luhet të dielën prej orës 17:30, ku Manchester City e pret skuadrën e Tottenhamit. Dy barazimet e fundit, kanë bërë që City ta humb pozitën e parë në tabelë dhe ekipi i Pep Guardiolës kërkon fitoren ndaj Tottenhamit që është në krizë të rezultateve. Për dallim prej Cityt që ka 29 pikë dhe është i dyti në tabelë, Tottenhami ka mbetur në kuotën e 26 pikëve dhe ka zbritur në pozitën e pestë. Tottenhami nuk di për fitore në tri ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar tri humbje dhe ndaj kampionit në fuqi, synon rikthimin te rezultatet pozitive.
Lideri i Premier Leagues, Arsenali do të ketë punë më të lehtë, pasi në shtëpi e pret skuadrën e Wolverhamptonit. Kjo ndeshje luhet të shtunën prej orës 14:00 dhe e hap xhiron e 14-të të kampionatit anglez. Arsenali ka 30 pikë, 15 më shumë se Wolvesi që nuk është në mesin e dhjetë skuadrave të para në tabelë.
Ndërkohë, Liverpooli që ka një pikë më pak se Arsenali, llogaritet favorit përball Fulhamit, ndeshje kjo që luhet të dielën në stadiumin “Anfield Road” prej orës 15:00.