Sport

Mourinho akuzon disa lojtarë për paraqitjen ndaj Servettes

Trajneri i Romës, Jose Mourinho, ka akuzuar disa lojtarë për qasjen e tyre në fushë, në barazimin 1:1 në udhëtim te Servette, në Grupin G të Ligës së Evropës.

Romelu Lukaku shënoi për italianët në pjesën e parë, ndërsa Chris Bedia i barazoi shifrat në Gjenevë.

“Disa, të cilët nuk kanë shumë eksperiencë në Evropë, luajnë në këto ndeshje vetëm sipërfaqësisht. Nuk e kuptoj. Kam luajtur 150 ndeshje në Ligën e Kampionëve, të cilat janë shumë më të ‘rëndësishme’ se kjo, dhe motivimi im për këto lojë është deri në qiell. U kam thënë lojtarëve të qëndrojnë të fokusuar për 90 minuta dhe nuk kam nevojë t’i përmend ata. Dhe ka edhe të tjerë të cilët kanë qasje sipërfaqësore në ndeshje të tilla”, ka thënë Mourinho pas ndeshjes.

Roma duhet ta mposhtë Sheriff Tiraspolin në ndeshjen e fundit dhe të shpresojë që Slavia Praga të mos e mposhtë Servetten, në mënyrë që ta fitojë grupin dhe të kualifikohet direkt në 16 skuadrat më të mira të kësaj gare.