Pasi e fitoi thellë derbin me Pejën, skuadra e Trepçës ka triumfuar bindshëm edhe në ndeshjen ndaj Sigal Prishtinës.
Trepça e mposhti Prishtinën në ndeshjen e mbetur të xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në basketboll, të zhvilluar të mërkurën mbrëma në kryeqytet. Për dallim prej Pejës, të cilën e mposhti me 20 pikë epërsi, Trepça triumfoi ndaj Prishtinës me dhjetë pikë dallim. Dueli i luajtur në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë u mbyll me shifrat 76:66 në favor të ekipit nga Mitrovica.
Me këtë fitore Trepça është ngjitur në krye të tabelës me 18 pikë, një më shume se Peja që renditet e dyta.
Për Trepçën kjo ishte fitorja e tretë rresht dhe e teta në total në dhjetë ndeshje të zhvilluara deri më tani këtë edicion. Në anën tjetër, Prishtinës nuk i ndihmoi për t’u rikthyer te fitorja as largimi i trajnerit nga Lituania, Zydrunas Urbonas, një ditë para përballjes me Trepçën.
Në këtë ndeshje, Prishtina u drejtua nga ndihmësi i Urbonasit, Albert Sylejmani, të cilit i është besuar përkohësisht posti i trajnerit te skuadra nga kryeqyteti. Për Prishtinën kjo është disfata e katërt në pesë ndeshjet e fundit. Në total, Prishtina ka pesë humbje karshi pesë fitoreve dhe zë vendin e pestë në tabelë me 15 pikë të mbledhura.
Basketbollistët e Trepçës startuan furishëm dhe qysh në çerekun e parë arritën të shkëputen në rezultat. Dhjetëminutëshin e parë Trepça e fitoi me rezultatin 22:13, përpara se edhe çerekun e dytë ta mbyll me një pikë epërsi (15:14) për të shkuar në pushim me një avantazh prej dhjetë pikëve – 37:27.
Epërsinë prej dhjetë pikëve, Trepça e ruajti edhe pas përfundimit të periudhës së tretë, e cila përfundoi me shifrat 19:19. Edhe dhjetëminutëshi i fundit përfundoi baras – 20:20 – por epërsia e krijuar nga Trepça në dy periudhat e para i mjaftoi për ta fituar këtë ndeshje përballë Prishtinës.
Tre lojtarë të Trepçës arritën ta mbyllin ndeshjen me pikë dyshifrore, ndërsa më efikasi ishte Mikaile Tmushiq. Tmushiq realizoi 15 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime, ndërsa atij në ndihmë i dolën edhe Erjon Kastrati e Kevin Davis. Kastrati e Davis kontribuuan me nga 14 pikë në këtë fitore të rëndësishme. Te Prishtina u veçua Derrick Wilson me 17 pikë, shtatë kërcime e tetë asistime. Ndërkohë, kapiteni Dardan Berisha pati 19 pikë, por që nuk mjaftuan për ta mposhtur Trepçën.
Në xhiron e radhës, që zhvillohet në vikend, Prishtina do të përballet në shtëpi me skuadrën e Istogut, ndërsa Trepça do ta ketë një udhëtim të vështirë. Do të luaj në Gjakovë ndaj Vëllaznimit, ekip që nuk di për humbje në gjashtë ndeshjet e fundit në elitën e basketbollit kosovar.