Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, ka thënë se lojtarët e tij mund të inspirohen nga ylli i tenisit, Jannik Sinner, dhe triumfi i Italisë në “Davis Cup”.
Skuadrës së Piolit i duhet fitorja për ta mbajtur gjallë shpresën për kualifikim në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve. Të martën prej orës 21:00 luhet ndeshja mes Milanit dhe Borussia Dortmundit, që i takon Grupit F të Championsit.
Tifozi “rossonerë”, Sinner, udhëhoqi Italinë të dielën në Malaga drejt triumfit të parë në 47 vjet në “Davis Cup”, që është Botërori i tenisit.
Pioli shpreson që numri katër i botës në tenis të jetë në “San Siro” për ta përkrahur skuadrën e Milanit.
Pioli e ka përshkruar si “pikë kthese” ballafaqimin me Dortmundin. Ndeshja e parë e zhvilluar në tetor në Gjermani ishte mbyllur baras, 0:0.
Milani është i treti me pesë pikë, kur kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u luajtur në grup. Dortmundi prinë në Grupin F me shtatë pikë. Gjashtë pikë i ka PSG-ja në vendin e dytë, ndërsa Newcastle ka katër pikë në vendin e fundit.
Të martën luan edhe PSG-ja me Newcastlen, po ashtu nga ora 21:00.
Të katër skuadrat janë në garë për ta kaluar grupin, që vlerësohet më i forti i Championsit.
“Është ndeshje shumë e rëndësishme, do të jetë pikë kthese në grup. Dimë gjithçka për kundërshtarët, të cilët janë të fortë dhe mund të shkaktojnë probleme. Megjithatë, edhe ata mund të vihen në vështirësi. Duhet të jemi të përqendruar për 95 minuta dhe t’i bllokojmë kur nuk e kemi topin në posedim. Kur ta kemi topin në posedim do të mundohemi t’i gjejmë pozitat dhe hapësirat e duhura”, ka theksuar Pioli.
Të hënën në mbrëmje në konferencën për shtyp të Dortmundit para gazetarëve ishte trajneri Edin Terziq.
Ai ka thënë se synohet fitorja në një stadiumi të vështirë si “San Siro”.
“Shumë njohës të futbollit kanë thënë se do ta kemi të pamundur të kualifikohemi tutje. Tani jemi të parët. Qëllimi jonë nuk është që gjithsesi të përfundojmë në vendin e parë në grup, por e kemi shansin ta bëjmë një gjë të tillë nëse fitojmë. Do të bëjmë gjithçka që mundemi”, ka theksuar Terziq.
Trajneri i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique, ka thënë të hënën se ekipi i tij është larg prej formës më të mirë dhe se gjithmonë ka vend për përmirësim. Parisi do të sfidohet nga Newcastle në “Parkun e Princave”.
“Ky nuk është ekipi që unë dua, por jemi duke punuar. Jemi larg prej asaj që kam pritur, por uroj që ai PSG të jetë në të ardhmen. Ka edhe gjëra që unë i pëlqej, dëshirën e lojtarëve për të bërë atë që u thotë trajneri. Ka hapësira për përmirësim, por jemi në kërkim të stilit që e dua për këtë ekip”, theksoi Enrique.
Newcastle e shokoi PSG-në në ndeshjen e parë në “St James’ Park”, duke e mposhtur kampionin francez me rezultatin 4:1. Por, pas dy disfatave nga Dortmundi, skuadra angleze ka rënë në vendin e fundit në grup. Do ta ketë të pamundur kalimin e grupit në rast se e humb edhe ballafaqimin në Paris. Skuadra angleze është goditur nga lëndimet e shumta dhe e ka humbur ritmin që e pati në fillim të edicionit.
Sven Botman, Dan Burn, Callum Wilson, Joe Willock dhe Sean Longstaff janë prej lojtarëve që pritet të mungojnë në Paris.
“Atmosfera në grup është shumë e mirë. Fitorja ndaj Chelseat erdhi në moment shumë të mirë. Djemtë bënë punë të mirë dhe po luajnë në nivel të lartë. Por nuk jemi në pozitën që duam të jemi në Ligën e Kampionëve dhe është e domosdoshme që të mos humbim”, theksoi Eddie Howe, trajner i skuadrës së Premier Leagues.
Të martën do të ketë ndeshje të rëndësishme edhe në tri grupe tjera të Championsit.
Barcelonës në Grupin H i duhet fitorja ndaj Portos për ta siguruar kalimin në fazën nokaut, pas dy eliminimeve rresht në fazën grupore.
Barça dështoi ta kalonte grupin për dy edicione rresht, pasi Lionel Messi u largua nga skuadra. Ndeshja tjetër e këtij grupi është ndërmjet Shakhtar Donetskut dhe Antwerpit të Arbnor Mujës, që luhet nga ora 18:45.
Barcelona dhe Porto kanë nga nëntë pikë. Shakhtari ka gjashtë pikë, ndërsa Antwerpi është në kërkim të pikëve të para.
Në Grupin E nuk ka top-skuadra, por gara është ende e hapur.
Feyenoord – Atletico Madrid dhe Lazio – Celtic janë ndeshjet e së martës në këtë grup. Atletico udhëheq me 8 pikë. Lazio ka shtatë pikë, kurse Feyenoordi ka gjashtë pikë. Celticu është i fundit me vetëm një pikë.
Ndërkohë, në Grupin G gara thuajse ka përfunduar. Manchester City udhëheq me 12 pikë, ndërsa RB Leipzigu është i dyti me 9 pikë. Të dy skuadrat janë kualifikuar. Cërvena Zvezda dhe Young Boysi kanë nga një pikë. City e pret Leipzigun nga ora 21:00.
E martë
Grupi E
Lazio – Celtic (18:45)
Feyenoord – Atletico (21:00)
1. Atletico Madrid 4 8
2. Lazio 4 7
3. Feyenoord 4 6
4. Celtic 4 1
Grupi F
Milan – Dortmund (21:00)
PSG – Newcastle (21:00)
1. Dortmund 4 7
2. PSG 4 6
3. Milan 4 5
4. Newcastle 4 4
Grupi G
Man. City – Leipzig (21:00)
Young Boys – Cërvena Zvezda (21:00)
1. Manchester City 4 12
2. Leipzig 4 9
3. Cërvena Zvezda 4 1
4. Young Boys 4 1
Grupi H
Shakhtar – Antwerp (18:45)
Barcelona – Porto (21:00)
1. Barcelona 4 9
2. Porto 4 9
3. Shakhtar Donetsk 4 6
4. Antwerp 4 0