Albina Rugova, “krahu” i Istogut në suksesin evropian

Istogu e humbi 31:30 ndeshjen e parë. Në ndeshjen e dytë, pas pjesës së parë ishte duke pësuar 14:13. Por në fund skuadra istogase e hendbollit fitoi 29:27 dhe kështu bëri vend në rundin e tretë të Kupës Evropiane.
Në raundin e dytë, Istogu e eliminoi skuadrën portugeze 1Maio/Ada. Të dy ndeshjet u luajtën në fundjavë në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Më efikasja tek Istogu ishte kapitenia Albina Rugova.
Në ndeshjen e parë lojtarja e krahut i realizoi shtatë gola. Të dielën në ndeshjen e dytë ishte edhe më efikase. I shënoi nëntë gola.
“Në ndeshjen e parë edhe pse jemi angazhuar shumë, kemi bërë gabime teknike dhe kishim disa gabime në mbrojtje. Kjo bëri që ta humbim ndeshjen. Ajo që shfaqëm të shtunën nuk ishte fytyra e vërtetë e Istogut. Për këtë isha e bindur se nëse arrijmë t’i eliminojmë disa nga këto gabime, do t’ia dalim ta kalojmë rundin e dytë. E arritëm këtë pikërisht duke mos i përsëritur gabimet nga ndeshja e parë dhe tani e presim kundërshtarin e rundit të tretë”, ka thënë Rugova për KOHËN, të hënën.
Shorti për fazën e tretë është të martën nga ora 11:00. Istogu nuk është bartës në short, kështu që e pret një kundërshtar i vështirë. Ndeshjet e ardhshme evropiane, Istogu i luan në muajin nëntor.
Istogu për herë të shtatë rresht po paraqitet në gara evropiane. Në të gjitha edicionet pjesë e skuadrës ishte Rugova, aloja e përfaqësueses së Kosovës. Kontributi i saj në rritjen e Istogut si skuadër vlerësohet shumë i madh.
Albina Rugova ka treguar se Istogu është paraqitur më ndryshe në ndeshjen e dytë me skuadrën portugeze.
“Analizuam me kujdes mënyrën e lojës së kundërshtarit. I pamë gabimet tona nga ndeshja e parë. Ia dolëm të mos i përsërisim ato gabime, ndryshuam disa gjëra taktike në mbrojtjen dhe ky ishte çelësi i suksesit”, ka theksuar Rugova.
Gran Canaria e Spanjës, Konyaalti e Turqisë, Bjelovari i Kroacisë, Kynzvarti i Çekisë janë disa prej kundërshtarëve të mundshëm të Istogut në raundin e tretë të Kupës Evropiane, që është niveli i tretë i garave kontinentale për klube.
“Shpresojmë të kemi fat në short, e pastaj do të paraqesim synimet. Nëse do të kemi pak fat në short dhe do të kompletohemi edhe me hendbolliste të tjera të cilat nuk janë paraqitur në këto ndeshje, ndoshta edhe do t’ia dalim ta kalojmë edhe një pengesë”.
Kalimi i dy kundërshtarëve në një edicion do të ishte sukses historik për Istogun, por edhe për hendbollin kosovar në përgjithësi.
Istogu është klub i ri, i themeluar vetëm në vitin 2004. Por në vitet e fundit ka dominuar plotësisht hendbollin kosovar. Meritor vlerësohet trajneri Faruk Shala, por edhe lojtaret e udhëhequra nga Albina Rugova.
“Gjatë tërë muajit shtator jam munduar të fokusohem 100 për qind në stërvitje dhe në detyrat që kam marrë nga trajneri. Kjo ka bërë që të ndihem e përgatitur. Kisha edhe përkrahjen e bashkëlojtareve dhe jam e kënaqur me paraqitjen”, thotë Rugova.
Istogu ka në përbërje disa lojtare të huaja e po ashtu disa reprezentuese të Kosovës. Rugova është njëra prej tyre. Javën tjetër Kosova i luan dy ndeshje me superfuqinë e hendbollit, Danimarkën. Gjasat për sukses thuajse nuk ekzistojnë, por Rugova në grumbullim do të paraqitet shumë e motivuar.
“Dy ndeshje të forta në kupat evropiane dhe forma e mirë e shfaqur janë motivim që të vazhdoj të luaj ndeshje me intensitet të lartë. Me Kosovën na presin dy ndeshje të vështira, por shpresoj se paraqitja e përgjithshme do të jetë pozitive. E dimë forcën e Danimarkës, por do të angazhohemi maksimalisht për ta shfaqur më të mirën e mundshme. Emri i kundërshtarit natyrisht duhet të shërbejë si motivim për të dhënë më të mirën dhe për të avancuar lojën tonë”, thotë hendbollistja istogase.
Këtë edicion ka shpresë që Superliga e Kosovës të jetë më cilësorë se në edicionet e kaluara. Ky është lajm i mirë, sipas Rugovës.
“Sigurisht që kjo më gëzon sepse skuadrat tona kundërshtare në Evropë zhvillojnë gjatë gjithë kampionatit ndeshje te forta dhe në vazhdimësi kanë përparësi ndaj nesh. Ngritja e cilësisë së ligës mendoj që do të ndikojë te të gjitha henbollistet në Kosove që të kemi performancë më të mirë si me Istogun, ashtu edhe me Kosovën”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.