Sport

Alirifa: Djemtë treguan karakter pas asaj që na ndodhi

Trajneri i Malishevës, Senad Alirifa, ka thënë se është i lumtur me fitoren ndaj Lirisë së Prizrenit dhe është i kënaqur me përgjigjen e lojtarëve në fushë.

“Realisht jam i lumtur me angazhimin e lojtarëve që treguan karakter të fortë pas asaj që ndodhi xhiron e kaluar ku na u mor fitorja nga dora nga Llapi. Sot lojtarët treguan karakter. Pjesën e parë na dominuan plotësisht me raste. Më pas erdhi penalltia, por na u komplikuan gjërat me përjashtimin e Hazrollajt. Na u desh ta jepnim maksimumin për ta mbrojtur rezultatin dhe ia dolëm. Malisheva tash e tutje, pas krizës në tri javët e kaluara, do të kthehet edhe më fuqishëm”, ka thënë Alirifa.

Malisheva sot fitoi në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren, në ndeshjen e tensionuar me Lirinë. Malishevasit triumfuan me rezultatin 1:0 të shtunën, falë një goli që e shënoi Ilir Mustafa.