Sport

Hummelsi barazon rekordin e fitoreve te Dortmundi

Mats Hummels

Ish-futbollisti i Gjermanisë, Mats Hummels, e ka barazuar rekordin e klubit të vendosur nga Michael Zorc te Borussia Dortmundi.

Qendërmbrojtësi festoi fitoren e 206-të në Bundesligë me fanellën e Dortmundit, në fitoren 3:1 kundër Hoffenheimit.

Zorc, i cili në tërë karrierën luajti për Dortmundin, u desh të luante në 463 ndeshje për ta arritur këtë shifër të fitoreve, ndërsa Hummelsi ka 347 paraqitje.

Fituesi i Kupës së Botës në vitin 2014 me Gjermaninë, Hummels, debutoi në Bundesliga për Bayern Munichun në vitin 2007, para se të kalonte te Dortmundi.

Hummels, 34-vjeçar, ka luajtur për Bayernin sërish nga viti 2016 deri në vitin 2019.

Tani ka kontratë me Dortmundin deri në fund të këtij edicioni.

Zorc e mbylli karrierën në vitin 1998, ndërsa ishte lider i Borussia Dortmundit kur skuadra i fitoi kampionatin në vitin 1995 dhe Ligën e Kampionëve në vitin 1997.