Skuadra e Romës po interesohet për anglezin Jadon Sancho, i cili nuk bën pjesë në planet e Manchester Unitedit. “Calciomercato” ka shkruar të mërkurën se Roma ka nisur kontaktet me ekipin anglez pasi po synon transferimin e Sanchos në afatin kalimtar të janarit.
Në fakt, Roma po e kërkon huazimin e 23-vjeçarit me opsionin e blerjes në fund të edicionit. Marrëveshja mes palëve mund të arrihet, pasi Sancho është përjashtuar nga ekipi i parë i Manchester Unitedit dhe po stërvitet me të rinjtë.
Ai nuk po pëlqehet nga trajneri Erik ten Hag, me të cilin është fjalosur dhe për këtë arsye pritet të largohet nga Unitedi.
Këtë edicion Sancho ka vetëm 76 minuta lojë, ndërsa me Unitedin ka kontratë deri në vitin 2026. Ai iu bashkua Unitedit para dy vjetësh nga Borussia Dortmundi për 85 milionë euro.