Kryetari i Gjilanit ironizon me Suharekën për projektin e stadiumit
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka ironizuar me kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj, që të enjten prezantoi projektin e stadiumit të qytetit që siç ka thënë ai, është gati për të nisur punën.
Hyseni ka shkruar në Facebook se edhe Gjilani do të ketë stadium “me kapacitet prej mbi 50.000 persona”, derisa me ironi ka prezantuar një fotografi të një stadiumi gjigant, me jahte anash pranë detit.
Sipas Muharremajt, gjithçka është e gatshme si prona, ashtu edhe projekti ideor – për stadium me 17 mijë ulëse dhe se duhen vetëm investimet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Ne jemi gati me detyrat tona si komunë për Stadionin. Sipas asaj që u deklarua në fundmi nga Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit z.Çeku, se komuna duhet ta ketë projektin dhe lokacionin, siç theksuam edhe para disa ditëve ne u angazhuam seriozisht. Ekziston lokacioni si parcelë kadastrale, në sipërfaqen 16 hektar, ku është i miratuar në PZHK dhe HZK. Po ashtu e kemi edhe projektin ideor të stadiumit të qytetit - kategoria 4 me kapacitet rreth 17 mijë ulëse. Ne i mirëpresim zyrtarët nga ministria në fjalë për të vazhduar me procedurat tjera”, ka shkruar ai në Facebook duke shpërndarë fotografitë e projektit.