Kosova ka barazuar 2:2 me Zvicrën në festën e futbollit në “Fadil Vokrri”.
Vedat Muriqi ishte “hero” i Kosovës duke shënuar dy golat.
Madje golin për 2:2 e shënoi në minutën e 94-t.
Gjithë ndeshja u zhvillua në atmosferë miqësore dhe në fund u ndanë pikët.
GOL! Kosova ka barazuar sërish ndaj Zvicrës. Për 2:2 shënoi Vedat Muriqi në minutën e katërt të kohës shtesë. Muriqi konretizoi në gol një aksion shumë të bukur të Kosovës.
84 minuta lojë për Xherdan Shaqirin. Futbollisti me rrënjë nga Kosova ka lëshuar fushën për Noah Okaforin. Nga fusha është larguar nën duartrokitje të shumta.
81' - Inkuadrohet Meriton Korenica. Ka zëvendësuar Milot Rashicën.
GOL! Zvicra sërish në epërsi
Zvicra ka kaluar në epërsi 2:1 ndaj Kosovës. Pas një pasimi të shkëlqyer të Shaqirit, topi në zonë erdhi te Remo Freuler që goditi saktë në minutën e 79-të. Në fakt topi u devijua nga Amir Rrahmani dhe përfundoi në rrjetë. Zyrtarisht është njohur si autogol i Rrahmanit.
Më në fund entuziazëm në “Fadil Vokrri”
Goli i barazimit ka ngjallur tifozët në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”. Atmosfera është shumë më e zjarrtë për dallim prej pjesës së parë kur ishte shumë qetë. Edhe loja e Kosovës tashmë është më energjike.
Hadërgjonaj në krah, Vojvoda para mbrojtjes
Florent Hadërgjonaj është aktivivizuar në vend të Florian Loshajt. Hadërgjonaj u vendos në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa para mbrojtjes doli Vojvoda. Kapiteni Rrahmani dhe selektori Gliha kanë pasur paqartësi gjatë komunikimit, pas zëvendësimit të bërë. Rrahmani është dukur i pakënaqur me vendosjen e re në fushë.
65' - GOL! Kosova ka barazuar rezultatin në ndeshjen ndaj Zvicrës. Për 1:1 shënoi Vedat Muriqi në minutën e 65-të. Ai shënoi me goditje me kokë. Muriqi shënoi pas krosimit të Rashicës.


Sërish Muriqi, jashtë porte
60' - Pas një ore lojë, Kosova ka pasur rast tjetër për gol. Vedat Muriqi goditi me kokë, por jo saktë.
Aktivizohet edhe Ermal Krasniqi
54' - Ermal Krasniqi është aktivizuar te Kosova. Ai hyri në lojë në minutën e 54-t në vend të Bernard Berishës.
Zhegrova e Muslija në lojë

Primozh Gliha ka bërë dy zëvendësime te Kosova për pjesën e dytë. Valon Berisha ka lënë vendin për Edon Zhegrovën, ndërsa në vend të Betim Fazlijit luan Florent Muslija.
Kosova është në disavantazh prej 1:0 pas pjesës së parë të ndeshjes ndaj Zvicrës. Remo Freuler shënoi golin në minutën e 14-të. Më pas loja ishte e hapur, ndërsa Kosova ka krijuar disa raste. Por shifrat më nuk kanë ndryshuar.
{gallery}
Kosova i afrohet golit
Kosova i është afruar golit në minutën e 39-të. Vedat Muriqi ka goditur, por është dukur të jetë fauluar. Tifozët në tribuna kërkojnë penallti për Kosovën. Arbitri tregoi në rivënie nga këndi.
Muriqi rrezikon sërish
27’ - Vedat Muriqi ka rrezikuar sërish. Goditi me kokë në minutën e 27-të, por jo saktë. Rezultati mbetet 1:0 në të mirë të Zvicrës.
Rrezikon Muriqi
18' - Vedat Muriqi ka rrezikuar portën e Yann Sommerit. Goditjen e Muriqit në minutën e 18-të e ndali portieri helvetik.
Kosova lëshon rast ideal
16' - Kosova ka lëshuar rast ideal në minutën e 16-të. Milot Rashica arriti të kalonte gjithë mbrojtjen e helvetikëve, përfshirë portierin, por topi i goditur nga Bernard Berisha nuk përfundoi në rrjetë, edhe pse lojtari ishte fare pranë golit.
GOL. Zvicra ka kaluar herët në epërsi ndaj Kosovës. Ka realizuar Remo Freuler në minutën e 14-të. Ai u asistua nga Edimilson Fernandes.
Rashica teston Sommerin
11' - Milot Rashica ka rrezikuar për Kosovën në minutën e 11-të. Por goditjen e tij nga distanca e ndali Yann Sommer.
Zvicra ka bërë dy goditje në fillim të ndeshjes ndaj Kosovës. Por asnjëra prej tyre nuk ka paraqitur rrezik për Aro Muriqin. Shaqiri bëri një goditje të lehtë në minutën e nëntë të takimit.

Ka nisur në “Fadil Vokrri” ndeshja e shumëpritur në kualifikimet “Euro 2024”, në mes të Kosovës dhe Zvicrës.
Tifozët e Kosovës, “Dardanët” kanë shpalosur mesazhin para ndeshjes: “Mëmëdheu qan për trima e burra, por jo për qyqarë e tradhtarë”.
Albert Bunjaku përshëndetet nga përfaqësuesja e Kosovës

20:30 - Pak çaste para ndeshjes Kosovë-Zvicër, sulmuesi Albert Bunjaku është përshëndetur nga përfaqësuesja e Kosovës.
Bunjaku ka luajtur edhe për Zvicrën edhe për Kosovën. Ka kontribuuar që të shkruhet historia e përfaqësueses së Kosovës, duke luajtur në faza të rëndësishme të ndërtimit të përfaqësueses. Përshëndetja e Bunjakut është përcjellë me duartrokitje nga shikuesit.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i ka ndarë një fanellë speciale, ndërsa për të përqafime ka pasur edhe nga futbollisti i Zvicrës, Xherdan Shaqiri.
Xhaka e Shaqiri priten me duartrokitje, Bislimi me fishkëllima
20:24 - Kur në audion kryesore në stadium janë thirrur emrat e futbollistëve të përfaqësueses së Zvicrës, duartrokitje e brohoritje ka pasur kur janë thirrur emrat e Granit Xhakës, Xherdan Shaqirit e Ardon Jasharit. Por me fishkëllima është pritur Uran Bislimi që vitin e shkuar ishte pjesë e Kosovës.
20:10 - Futbollistët e dy përfaqësueseve kanë dalë në fushë për përgatitjet e fundit. “Dardanët” u mirëpritën me duartrokitje, e për Zvicrën pati edhe fishkëllima. Dy yjet shqiptare të Zvicrës, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri përshëndetën tifozët duke ngritur duart lart.
Përderisa Kosova pas pak nis ndeshjen me Zvicrën, Andorra në takimin tjetër të këtij grupi i ka marrë pikë Bjellorusisë.
Kjo është tabela aktuale e grupit të Kosovës:

19:50 - Një orë para nisjes së ndeshjes, stadiumi “Fadil Vokrri” ka nisur të mbushet. Biletat ishin shitur shumë shpejt, ndërsa është raportuar për shitje të tyre edhe në tregun e zi. Rreth 700 tifozë do të vijnë nga Zvicra.

19:35 - Formacionet zyrtare:
Kosova do të luajë me: Muriq, Aliti, Fazliji, Rashica, Rrahmani, Valon Berisha, Vojvoda, Paqarada, Muriqi, Loshaj e Bernard Berisha.
Në anën tjetër, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri udhëheqin helvetikët në “Fadil Vokrri”.
Zvicra do të nisë ndeshjen me: Sommer, Fernandes, Akanji, Zakaria, Amdouni, Freuler, Xhaka, Rodriguez, Vargas, Schar, Shaqiri

18:50 – Atmosfera në sheshet e Prishtinës
Prishtina është bërë gati për ndeshjen e futbollit mes Kosovës dhe Zvicrës, e vlefshme për kualifikimet për “Euro 2024”. Përballja e veçantë, ku yjet shqiptare të Zvicrës për herë të parë do të përballen me Kosovën, do të nisë në orën 20:45.
Tashmë kryeqyteti ka nisur të mbushet me tifozë të të dyja përfaqësueseve. Përpos “Dardanëve” që kanë mbushur rrugët, në Prishtinë pritet që të jenë edhe rreth 700 tifozë helvetikë. E pavarësisht se janë rivalë, në sheshet e Prishtinës dy tifozeritë po festojnë bashkë.
Ndeshja e veçantë është edhe emocionale për shkak se Zvicra udhëhiqet nga futbollistët me rrënjë prej Kosovës. Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka janë dy nga futbollistët shqiptarë më të suksesshëm të të gjitha kohërave. Kanë luajtur e luajnë në nivel të lartë në klube, por simpatinë e shqiptarëve do ta kenë shumë gjatë për paraqitjet me përfaqësuese. Madje jo me përfaqësuese të Kosovës apo Shqipërisë, por me përfaqësuesen e Zvicrës. Ishte 22 qershori i vitit 2018, kur Shaqiri e Xhaka bënë krenarë gjithë shqiptarët. Në Kaliningrad të Rusisë po zhvillohej ndeshja e Kupës së Botës mes Serbisë dhe Zvicrës. Serbia kishte kaluar në epërsi 1:0 në minutën e pestë dhe ky rezultat kishte mërzitur gjithë shqiptarët. Në pjesën e dytë në skenë dolën Xhaka e Shaqiri. Xhaka realizoi supergol për 1:1 në minutën e 52-të e më pas Shaqiri shënoi gol “perlë”, pas një kundërsulmi, në minutën e 90-të. Pasoi festa e paparë me shqiponjë, që bëri bujë të jashtëzakonshme. Fitorja 2:1 e Zvicrës është festuar në të gjitha qytetet e Kosovës dhe thuajse në çdo vend ku ka shqiptarë.
Ndërsa te Zvicra u paraqit kapiteni Granit Xhaka. Ai u shpreh i emocionuar e njëjtë u deklaruan edhe Shaqiri e të tjerët.