Sport

Daku e Muja me padurim po e presin debutimin me Shqipërinë

Sulmuesit nga Kosova, Mirlind Daku dhe Arbnor Muja, kanë pranuar se me padurim po e presin debutimin me fanellën e Shqipërisë. Muja dhe Daku i kanë bërë pyetje njëri-tjetrit në një intervistë të publikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF). Ata kanë bërë pyetje të ndryshme mes vete dhe kanë dhënë përgjigje në intervistën që zgjati gati pesë minuta. Si Daku ashtu edhe Muja janë ftuar për herë të parë te Shqipëria dhe janë nën urdhrat e selektorit Sylvinho për ndeshjet e këtij muaji, me Çekinë dhe Poloninë, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Dy lojtarët kosovarë kanë kërkuar t’i bashkohen Shqipërisë pasi nuk ishin të kënaqur me trajtimin te Kosova. Ata janë ftuar te Kosova, por nuk kanë luajtur në asnjë ndeshje zyrtare dhe tani pritet të debutojnë këtë muaj te Shqipëria. “Kuqezinjtë” të enjten mbrëma përballen me Çekinë në Pragë, ndërsa tri ditë më vonë e presin Poloninë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Daku është pjesë e Rubin Kazanit në Rusi, ndërsa Muja luan te Antwerpi i Belgjikës.

“Ditët e para kanë shkuar shumë mirë, por me pak probleme për dritën e gjelbër për ta përfaqësuar kombëtaren dhe në fund gjithçka përfundoi si është më së miri dhe po ndihem shumë mirë”, ka thënë Daku, i cili ka zbuluar se kur ka marrë ftesën nga Sylvinho ka biseduar me familjarët, por edhe agjentin e tij. “Ndjenjë e mirë që jam me Shqipërinë, sepse këtu i përfaqësojmë të gjitha trevat shqiptare. Nuk ka pasur nga Gjilani dhe tani unë po e përfaqësoj Gjilanin”.

Edhe Muja ka pranuar se po ndihet shumë mirë që është pjesë e Shqipërisë. Ka shtuar se është krenari të luajë me fanellën kuqezi, ndërsa ftesës nga Shqipëria i është gëzuar pa masë familja e tij, në veçanti nëna.

“Është ndjenjë fantastike të jesh këtu, të takohem me djemtë dhe ta njoh stafin. Gjithçka është super. Kur kam marrë ftesën, kam thirrur familjen, pasi është një krenari e madhe si për ata ashtu edhe për mua. Nëna ka qenë më e lumtura kur e mori vesh për ftesën”, është shprehur Muja, duke shtuar se Gjilani dhe Mitrovica do ta bëjnë Shqipërinë e madhe. “Kur kam ardhur për pasaportën, kam takuar trajnerin dhe stafin. Jam ndier si në shtëpinë time dhe tani jam njoftuar edhe me lojtarët. Kemi një grup të mirë dhe mendoj se ky grup do të shkojë përpara pasi ka potencial të madh”.

Daku ka folur për ndeshjet me Çekinë dhe Poloninë, të cilat i ka vlerësuar si të forta. Mirëpo, ka shtuar se Shqipëria ka ekip për t’i fituar këto ndeshje dhe për të vazhduar drejt kualifikimit në evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani.

“Ndeshje të forta, nuk e kemi vetëm sulmin e mirë, por gjithë ekipin. Shpresoj që në të dyja ndeshjet të marrim fitore dhe të kompletojmë kualifikimin”, ka thënë Daku dhe shton se ambientimin në ekip e ka pasur tejet të lehtë. “Të shohim, si të kam minuta do ta jap atomin e fundit. Edhe nëse nuk luaj fare dhe ekipi merr rezultate të mira, nuk ka rëndësi fare”.

Muja ka shtuar se me padurim pret ta shohë veten me fanellën kuqezi dhe është i gatshëm në çdo aspekt, sikurse edhe Daku.

“Jam gati dhe me padurim pres ta shoh veten me fanellën kuqezi, pasi do të jetë një ndenje madhështore ta dëgjoj himnin. Jo vetëm fizikisht e psikikisht, por në çdo aspekt jam gati”, ka thënë Muja.