Sport

PSG-ja në “grupin e vdekjes” të Championsit

Paris Saint-Germaini nuk do të ketë aspak mision të lehtë në tentimin e tij për trofeun e parë të Ligës së Kampionëve. Përpjekjen për suksesin e parë evropian PSG-ja do ta nisë në një grup tejet të vështirë. Në fakt, ky mund të quhet edhe “grupi i vdekjes” duke pasur parasysh skuadrat që janë pjesë e tij. Në shortin e tërhequr të enjten në Monaco është caktuar që Parisi të jetë pjesë e Grupit F, të cilin e përbëjnë edhe Milani, Borussia Dortmundi e Newcastle Unitedi. Ky vlerësohet si grupi më i fortë dhe më interesant i këtij edicioni në Champions. Madje, përballja mes Milanit e Newcastlet do të jetë dyfish e veçantë për shkak të mesfushorit Sandro Tonali. Tonali në këtë afat kalimtar të verës u largua nga Milani për t’iu bashkuar ekipit nga Anglia për 80 milionë euro. Tonali ka fituar titullin e kampionit të Italisë me Milanin, përpara se të largohet nga “San Siro” pas dy edicionesh. Te Milani e kanë pritur një short të tillë dhe këtë e ka pranuar zëvendëspresidenti i nderit i klubit, Franco Baresi. Ai ishte i pranishëm në short po shtoi se Milani mund të përfundojë i pari në grup, pavarësisht kundërshtarëve të fortë që i ka në të.

“E kemi ditur se do ta kemi një short të vështirë, pasi ishim në vazon e tretë. Është një grup shumë i fortë dhe do të kemi përballje tejet interesante dhe të forta. Duhet pasur parasysh se ne jemi Milani, një ekip që gjithmonë ka ambicie të madhe. Kështu që, kemi besim më vete se mund t’i mposhtim të gjithë kundërshtarët në grup”, ka thënë Baresi.

Transferimi i madh i Bayernit, sulmuesi Harry Kane, do të kthehet në Angli për t’u përballur me Manchester Unitedin. Kane këtë verë iu bashkua Bayernit për më shumë se 100 milionë euro, ndonëse më herët ishte kërkuar edhe nga Manchester Unitedi. Bayerni e Unitedi janë pjesë e Grupit A që përbëhet edhe nga Copenhageni e Galatasaray, skuadra këto që konsiderohen autsajdere. 14 herë fituesi dhe rekordmeni i kësaj gare, Real Madridi, do të ketë punë me Napolin, Bragan dhe Union Berlinin në kuadër të Grupit C. Kampioni në fuqi i Evropës, Manchester City, ka pasur një short relativisht të lehtë. Mbrojtjen e trofeut që e fitoi edicionin e shkuar për herë të parë në histori të klubit, City do ta nisë Grupin G, ku do të përballet me Leipzigun, Cërvena Zvezdën e Young Boysin. Pjesë e skuadrës së Young Boysit janë edhe Kastriot Imeri e Donat Rrudhani. Finalisi i edicionit të shkuar, Interi, do të luajë kundër Benficas, të cilën e mposhti në çerekfinale dhe do të ketë punë përballë Salzburgut e Real Sociedadit. Këto ekipe janë pjesë e Grupit D.

“Edicionin e shkuar patëm një rrugëtim të jashtëzakonshëm dhe shkuam deri në finale. Ishim një hap larg realizimit të ëndrrës, trofeut. Kështu që, këtë edicion do të vazhdojmë ëndrrën dhe do të synojmë sërish trofeun. Kemi ekipe të mira në grup, por jemi gati”, tha trajneri i Interit, Simone Inzaghi.

Rikthimi i Arsenalit në Champions pas një mungese prej gjashtë vjetësh do të jetë kundër Sevillas, PSV Eindhogeni dhe Lensit në Grupin B. Barcelona është pjesë e Grupit H së bashku me Porton Shakhtar Donetskun e Antwerpin. Skuadra belge debuton këtë edicion në fazën e grupeve të Championsit sikurse Union Berlini i Gjermanisë. Pjesë e Antwerpit është edhe futbollisti nga Kosova, Arbnor Muja. Feyenoordi, fituesi i kupës evropiane të vitit 1970, është në Grupin E. Në këtë grup është edhe Celticu, të cilin Feyenoordi e pati mposhtur në atë finale para më shumë se gjashtë dekadave, si dhe Atletico Madridi e Lazio. Ekipet nga 15 shtete të ndryshme ishin në short, duke përfshirë 14 ish-kampionë evropianë, të cilët kanë fituar 48 trofe në historinë 68-vjeçare të kompeticionit. Ndeshjet e para të fazës së grupeve nisin më 19 shtator, ndërsa kjo fazë mbyllet më datën 13 dhjetor. Faza e nokautit të Championsit fillon në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, ndërsa finalja do të luhet më 1 qershor në stadiumin “Wembley” të Londrës.

Grupi A: Bayern Munich, Man. Utd, Copenhagen, Galatasaray

Grupi B: Sevilla, Arsenal, PSV Eindhoven, Lens

Grupi C: Napoli, Real Madrid, Braga, Union Berlin

Grupi D: Benfica, Inter, Salzburg, Real Sociedad

Grupi E: Feyenoord, Atl. Madrid, Lazio, Celtic

Grupi F: PSG, Borussia Dortmund, Milan, Neëcastle Utd

Grupi G: Man. City, Leipzig, C. Zvezda, Young Boys

Grupi H: Barcelona, Porto, Shakhtar, Antwerp