Sport

Xhudistë nga shumë shtete në Ballkanikun në Pejë

Xhudistët më të mirë të regjionit të Ballkanit pas një jave do të grumbullohen në Pejë. Në palestrën “Karagaçi”, në qytetin e tri kampioneve olimpike, më 2 dhe 3 shtator do të mbahet Kampionat Ballkanik për seniorë.

Më 2 shtator do të mbahen garat individuale. Ndërkohë më 3 shtator është gara në konkurrencën ekipore. Kampionatin Ballkanik e organizon Federata e Xhudos së Kosovës.

Luftërat preliminare startojnë në orën 10:00. Ndërkohë blloku final në konkurrencën individuale fillon në orën 16:30, ka njoftuar të premten Federata e Xhudos së Kosovës.

Sipas njoftimit të Federatës së Xhudos së Kosovës në Kampionatin Ballkanik do të paraqiten xhudistë nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Qiproja, Greqia, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Turqia. Natyrisht do të garojnë edhe xhudistët e Kosovës. Pjesë e Unionit Ballkanik është edhe Serbia, por xhudistët e saj nuk pritet të marrin pjesë.

Disa prej vendeve pjesëmarrëse kanë xhudistë cilësorë në radhët e tyre. Më të mirët padyshim i ka Kosova. Kosova është superfuqi evropiane sa i takon xhudos. Ka tri medalje të arta olimpike, ndër të tjera, si asnjë vend i regjionit.

Konkurrenca pritet të jetë e madhe, ndërsa gara për medalje shumë e fortë. Kosova do të synojë medaljet në shumë kategori. Pritet të paraqiten disa prej xhudistëve më të mirë, nëse jo të gjithë.

Federata e Xhudos e Kosovës tashmë po i kushton rëndësi më të madhe organizimit të ngjarjeve ndërkombëtare. Kjo edhe falë programit “Kosova, shtet i xhudos”, që tashmë ka nisur të zbatohet.

Më 16 dhjetor në Prishtinë do të mbahet Kampionati i Hapur Evropian. Ndër të tjera edhe për shkak të fondit shpërblyes, pritet që në Prishtinë të jenë shumica e xhudistëve më të mirë evropianë.