Bayern Munichu dhe Leipzigu do të luajnë të shtunën për Superkupën e Gjermanisë.
Ndeshja do të zhvillohet prej orës 20:45 në “Allianz Arena”, që është shtëpi e skuadrës bavareze.
Bayerni është fitues i 10 trofeve të Superkupës së Gjermanisë, por Leipzigu në edicionin e kaluar nuk pati disfatë ndaj kësaj skuadre.
Barazoi 1:1 në “Red Bull Arena”, para se të fitonte 3:1 në udhëtim në muajin maj.
Bayerni fitoi 5:3 në Superkupën e edicionit të kaluar, por kësaj radhe pritet të jetë ndeshje më e fortë.
Bayerni paraqitet në Superkupën e Gjermanisë për herën e 12-të rresht.
Te bavarezët është transferuar Kim Min-Jae nga Napoli. Konrad Laimer dhe Raphael Guerreiro janë lojtarët tjerë që e kanë përforcuar skuadrën më të suksesshme gjermane.
Nga ekipi që drejtohet nga Thomas Tuchel janë larguar Lucas Hernandez, Sadio Mane, Yann Sommer dhe Marcel Sabitzer.
Guerreiro pritet të mos luajë pasi është duke u shëruar nga një lëndim në pulpë, të cilin e mori gjatë përgatitjeve. Pritet të mungojë edhe kapiteni Manuel Neuer.
Thomas Mueller dhe Eric Maxim Choupo-Moting, nuk pritet të jenë titullarë.
Tuchel në ekip do ta ketë Jamal Musialan, me golin e të cilit Bayern Munichu e fitoi titullin e kampionit në edicionin e kaluar. Ishte titulli i 11-të rresht në Bundesligë.
Lëvizje ka pasur edhe te skuadra e Leipzigut në këtë afat kalimtar veror.
Laimer, Christopher Nkunku, Dominik Szoboszlai, Joshko Gvardiol dhe Marcel Halstenberg janë larguar.
Janë transferuar Christoph Baumgartner, El Chadaille Bitshiabu, Fabio Carvalho, Lois Openda dhe Xavi Simons.
Nëse Bayerni do të fitojë të shtunën, do të ishte trofeu i katërt rresht në Superkupën e Gjermanisë. Këtë sukses nuk e ka arritur asnjë skuadër gjermane.