Edicionin e ri të La Ligas, Barcelona dhe Real Madridi do ta nisin në këtë vikend.
Madrilenët luajnë të shtunën nga ora 21:30 në udhëtim tek Athletic Bilbao, kurse kampionia e La Ligas, Barcelona, do të luajë të dielën nga ora 21:30 po ashtu në udhëtim, te Getafe.
Barcelona, Real Madridi, Atletico Madridi, Sevilla, Real Betisi dhe Real Sociedadi u përgatitën te Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë verë.
Secila skuadër provoi transferimet e reja për kampanjën e re.
Në La Liga janë inkuadruar Granada, Alavesi dhe Las Palmas, që edhe më parë kanë bërë gara në elitë.
Te Barcelona në këtë edicion nuk do të luajnë Sergio Busquetsi dhe Jordi Alba.
Por është transferuar Ilkay Guendogan nga Manchester City.
32-vjeçari është afruar pas largimit të Busquetsit që u transferua tek Inter Miami, bashkë me Alban.
Nëse Frenkie de Jong qëndron në ekip, bashkë me Pedrin, Guendogani do ta formonte një treshe të rrezikshme.
Ata do të luanin prapa treshes së sulmit, Raphinha, Robert Lewandowski dhe Ansu Fati.
Por skuadra e trajnerit Xavi Hernandez do të ketë punë të vështirë për ta mbrojtur titullin në Spanjë.
Përballë do ta ketë Real Madridin e drejtuar nga Carlo Ancelotti, që në radhët e veta afroi Jude Bellinghamin.
Bellingham u transferua nga Borussia Dortmundi për 103 milionë euro.
Mesfushori anglez duhet të përshtatet me bashkëlojtarët si Luka Modriq, Toni Kroos dhe Eduardo Camavinga.
Reali ka transferuar edhe mbrojtësin Fran Garcia nga Rayo Vallecano si dhe sulmuesin Joselu, që e ka huazuar nga Espanyoli.
Mbetet të shihet se si do të luajë Ancelotti pas largimit të Karim Benzemas, që u transferua në futbollin e Arabisë Saudite.
Vinicius Junior dhe Rodrygo do t’i prijnë sulmit të madrilenëve.
Atletico Madridi e mbylli kampanjën e edicionit të kaluar në La Liga me vetëm një pikë më pak se Real Madridi, dhe me 11 më pak se Barcelona.
Atletico Madridi e mbyll xhiron e parë të La Ligas me duelin kundër Granadas.
Ky ballafaqim luhet të hënën.