Dhjetë hendbollistë të rinj nga Burundi janë zhdukur në Kroaci, kanë njoftuar mediat kroate të enjten.
Të rinjtë nga shteti afrikan ishin në Kroaci për Kampionatin Botëror U-19 që është në fazën finale.
“Policia ka pranuar njoftimin për mungesën e shtetasve të Burundit, pjesëtarë të Kampionatit Botëror për kadetë që prej 2 deri më 13 gusht mbahet ndër të tjera edhe në Rjekë. Sipas informatave të deritashme, bëhet fjalë për dhjetë të rinj, të lindur në vitin 2006. Ata të mërkurën, rreth orës 15:30, janë larguar në drejtim të panjohur. Ishin të vendosur në qendrën studentore në Rjekë. Në këtë qendër kanë qëndruar gjatë Botërorit, ndërsa nuk po përgjigjen në thirrjet telefonike. Aktualisht po punohet në gjetjen e personave që mungojnë dhe zbulimin e rrethanave që sollën në largimin e tyre”, ka njoftuar policia kroate.
Është deklaruar edhe Federata e Hendbollit e Kroacisë. Federata ka thënë se lojtarët para ndeshjes me Bahrejnin janë larguar nga kampusi dhe pa leje të shtabit teknik të Burundit.
“Ndonëse janë respektuar standardet më të larta të sigurisë dhe kishte numër të mjaftueshëm të policëve dhe pjesëtarëve të sigurisë, reprezentuesit e Burundit kanë vendosur të largoheshin nga kampionati dhe të shkonin në drejtim të panjohur”, ka thënë Federata kroate e hendbollit.
Tashmë ka nisur kërkimi për të rinjtë e larguar.
Shpesh sportistë të rinj nga vende afrikane ikin gjatë ngjarjeve ndërkombëtare dhe vendosen në vende të ndryshme në Evropë. Në të kaluarën kjo ka ndodhur edhe me sportistë nga Kosova.
Nga Federata kroate kanë shprehur keqardhje për ngjarjen. Ndeshja e Burundit me Bahrejnin është dashur të luhej të enjten. Por është anuluar në mungesë të lojtarëve të Burundit dhe është regjistruar në të mirë të Bahrejnit, me rezultatin zyrtar 10:0.
Te Burundi janë shprehur të shokuar për largimin e lojtarëve të rinj.
“Jemi në shok të thellë. Edhe ne si federatë e edhe prindërit e reprezentuesve, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm, lusim të gjithë ata që mund të na ndihmojnë për gjetjen e lojtarëve që ta bëjnë këtë. Nuk e di se si do të kthehemi në shtëpi pa ta”, ka thënë presidenti i Federatës së Hendbollit të Burundit, Dauphin Nikobamye.
Burundi kishte humbur 53:21 nga Ishujt Faroe më 2 gusht. Më 3 gusht kishte humbur 62:16 nga Suedia, ndërsa më 5 gusht pësoi 46:24 nga Irani. Ka humbur më pas edhe nga Argjentina dhe SHBA-ja. Me Bahrejnin është dashur të takohej për pozitat e fundit në Botëror.