Sport

Barcelona e Reali përballë shumë pasigurive në prag të edicionit të ri në La Liga

La Liga

Barcelona nuk mundi të kthejë Lionel Messin dhe humbi dy lojtarë të rëndësishëm, mesfushorin Sergio Busquets dhe mbrojtësin e krahut, Jordi Alba. Real Madridi nuk mundi të transferonte Kylian Mbappen – të paktën deri më tani – dhe pa sulmuesin Karim Benzema të largohej për në Arabinë Saudite.

Liga spanjolle fillon këtë javë me favoritët për titullin e kampionit që përballen me një vit tranzicioni dhe ndryshime në skuadra që mund të hapin derën për sfiduesit e tjerë. Atletico Madridi i trajnerit Diego Simeone mund të jetë skuadra që do të përfitojë nga kjo situatë pasi ka mbajtur shumicën e lojtarëve në ekipin që shfaqi futbollin më të mirë në Spanjë në fund të edicionit të kaluar. Real Sociedadi është një tjetër ekip që mund të befasojë në edicionin e ri pasi edicionin e shkuar përfundoi i katërti në tabelë.

Ndryshimet e Barcelonës

Barcelona, ende jo plotësisht e shëndetshme financiarisht, pa Busquetsin dhe Alban të bashkoheshin me Messin në Inter Miami, kurse solli veteranin Ilkay Guendogan nga Manchester City në përpjekje për të rritur gjasat e saj për të mbrojtur me sukses titullin e parë të ligës që kur Messi u largua disa vjet më parë nga “Camp Nou”. Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka të ngjarë të mbajë në ekip sulmuesin e krahut, Ousmane Dembele, pasi raportimet për një transferim të tij eventual te Paris Saint-Germaini u pakësuan kohët e fundit. Dembele ishte një nga armët kryesore të Barcelonës në sulm edicionin e kaluar, së bashku me sulmuesin polak, Robert Lewandowski, golashënuesin më të mirë të ligës. Xavi ende do të mbështetet në talentin e mesfushorëve Pedri dhe Gavi, të cilët tani janë më me përvojë dhe më të pjekur se kur debutuan për Barcelonën.

Në fakt Barcelona fitoi besim të madh për mbrojtjen e titullit në La Liga, kur në një miqësore të turneut parasezonal të zhvilluar në SHBA e mposhti Real Madridin. Muajin e shkuar, Barcelona triumfoi me shifrat 3:0, ndërsa Dembele shënoi njërin prej golave në këtë fitore bindëse.

“Është gjithmonë mirë të fitosh një ‘El Clasico’, por ka ende shumë për të përmirësuar dhe duhet të punojmë që të jemi gati për ta mbrojtur titullin në edicionin e ri”, ishin fjalët e trajnerit Xavi.

Humbja e Real Madridit

Real Madridi do të jetë pa francezin Benzema, fituesin e “Topit të Artë” të vitit të kaluar, për herë të parë në më shumë se një dekadë. Sulmuesi francez ishte lojtari më i mirë i skuadrës edicionet e fundit, duke udhëhequr sulmin e Realit pas largimit të Cristiano Ronaldos. Largimi i Benzemas do të vendosë më shumë përgjegjësi mbi dyshen braziliane, Vinicius Junior dhe Rodrygo, të cilët edicionin e kaluar treguan disa shenja se mund të jenë gati për të marrë role më të mëdha udhëheqëse. Sulmuesi i Spanjës, Joselu iu bashkua Realit në formë huazimi nga Espanyoli për të ndihmuar në kompensimin e mungesës së Benzemas dhe anglezi Jude Bellingham do t'i shtojë freski mesfushës që ka të ngjarë të shohë edicionin e fundit të veteranëve Toni Kroos dhe Luka Modriq.

Nga Reali këtë verë u larguan edhe Eden Hazard, Marco Asensio e Mariano Diaz. Trajneri Carlo Ancelotti qëndroi për të përfunduar kontratën e tij, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme që të bashkohej me Përfaqësuesen e Brazilit.

Sfiduesit e tjerë

Me Simeonen që futet në edicionin e 12-të me skuadrën, Atletico Madridi mbajti bërthamën e ekipit në sulm e mesfushë, si dhe forcoi mbrojtjen me Cesar Azpilicuetan dhe Caglar Soyuncun. Kishte dyshime nëse Joao Felix do të qëndronte pas një edicioni të dobët, por portugezi duket se do të jetë pjesë e repartit të sulmit, i cili përsëri do të drejtohet nga francezi Antoine Griezmann.

“Ne jemi të emocionuar dhe plotësisht të gatshëm për fillimin e ligës”, tha Simeone. “Ne e dimë se gara do të jetë e fortë dhe konkurrenca do të jetë e madhe, por kemi synimet tona”.

Reali Sociedadi, i cili edicionin e kaluar përfundoi në pozitën e katërt për herë të parë në një dekadë, humbi veteranin David Silva që u tërhoq nga futbolli aktiv pas një dëmtimi të rëndë në gju, të cilin e pësoi në fazën përgatitore. Por Sociedadi shtoi sulmuesin portugez Andre Silva dhe mbajti pjesën më të madhe të ekipit që ishte afër kreut të tabelës gjatë gjithë edicionit të shkuar.

Real Betisi i Manuel Pellegrinit dhe Villarreali i Quique Setienit do të shpresojnë të ngrihen edhe më shumë nga edicionet e tyre solide të një viti më parë, ndërsa Sevilla dhe Valencia kërkojnë të kenë start më të mirë pasi ishin në fund të tabelës edicionin e kaluar.

Ndërkohë ekipet si Granada, Las Palmas dhe Alavesi nuk paraqesin ndonjë rrezik për shkak se edicionin e shkuar luajtën në kategorinë e dytë. Prej La Ligas kanë rënë Elche, Espanyoli e Valladolidi.

Edicioni 2023/24 në elitën e futbollit spanjoll nis të premten me dy ndeshje: Almeria – Rayo Vallecano dhe Sevilla – Valencia.