Sport

Xhudisti Blin Kuka i pesti në EYOF

Ndonëse zhvilloi luftë të fortë, Blin Kuka e ka humbur përballjen për medalje të bronztë në Festivalin Olimpik Evropian Veror për të Rinj (EYOF).

Xhudisti Kuka garoi të premten në kategorinë deri 90 kilogramë. Në luftë për vend të tretë humbi nga spanjolli Antonio Ramirez Perez. Kuka kishte iniciativën gjatë tërë luftës dhe provoi disa herë të realizoi hedhje. Por edhe spanjolli shfaqi nivel. Lufta u vendos në dënime. Xhudisti kosovar e pësoi dënimin e tretë në kohën shtesë, për shkak të daljes nga arena. Kështu medalja e bronztë i takoi spanjollit, ndërsa Kuka renditet i pesti. Është rezultati më i mirë i Kosovës në EYOF në Maribor.

Blin Kuka nuk e nisi ditën mirë. Në kuadër të raundit të dytë të kategorisë deri 90 kilogramë pësoi nga xhudisti i Azerbajxhanit, Aslan Kotsoev. Por shfrytëzoi rastin përmes repesazhit. Me Ippon e kaloi xhudistin e Letonisë, Nikita Afansjevs e më pas me dy uazari fitoi ndaj garuesit të Portugalisë, Danilo Storozhuk. Kështu e siguroi luftën për medalje.

Prej xhudistëve, Laurina Gashi u rendit e shtata.

Në EYOF garojnë sportistët evropianë të moshës prej 14 deri në 18 vjet.

Kuka ishte i fundit prej garuesve të Kosovës në këtë ngjarje.