Pasi është prezantuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) si njëra prej kampioneve olimpike, Majlinda Kelmendi ka dhënë një intervistë të gjatë edhe për Unionin Evropian të Xhudos (EJU). Madje intervistën me ish-xhudisten kosovare e kanë bërë dy xhudiste të grupmoshës së kadeteve nga Britania e Madhe, Kenady Raind dhe Lola Hodson. Sipas EJU-së, ato e kanë pasur rastin e veçantë për ta intervistuar xhudisten e pëlqyer, që bëri histori dhe ka ndikuar në gjithë gjeneratën.
Fillimisht Majlinda është pyetur se pse u bë trajnere pas karrierës si xhudiste.
“Kam bërë xhudo gjithë jetën. Mendoj se kam shumë përvojë dhe dua ta ndaj atë me të tjerët. Jam trajnere vetëm për një vit, kështu që jam ende e re. Ishte vështirë dhe ky vit më është dashur për t’u mësuar. Të jesh sportiste dhe trajnere është gjë krejt ndryshe. Kur je sportiste ushtron dhe jep më të mirën, por kur je trajnere nuk varet shumë nga ti. Ju mund t’i ushtroni shumë, por në fund sportistët luftojnë. Ata janë të vetëm në tatami dhe nuk ka asgjë që mund të bëni për t’i ndihmuar. Kështu që është vështirë të jesh trajnere, shumë më vështirë se që kam pritur të jetë. Por po e shijoj”, ka thënë Majlinda.
Ajo punon në ekipin e kryemjeshtrit Driton Kuka. Tashmë ka udhëhequr xhudistët në garat e të gjitha kategorive.
Majlinda ka thënë se punon me të gjitha grupmoshat, por se më së miri përshtatet me të rriturit. Thotë se nuk është ende trajnere aq e mirë sa që të punojë me fëmijë, ndonëse angazhohet shumë. Ka treguar se si trajnere punon 6-7 orë në ditë.
“Por jam në territorin tim kur jam me seniorët, ndihem e sigurt. Mendoj që më kuptojnë më mirë, e kuptojnë çka kërkoj prej tyre, mund t’i mësoj xhudo të nivelit të lartë. Pasi xhudoja e të rriturve është më inteligjente, duhet të përdorësh trurin”, ka shtuar Majlinda.
Ajo ka treguar se si ka ndryshuar situata për sportistët e rinj në Kosovë, në krahasim me kohën kur ajo ishte kadete. Ka treguar që kushtet tani janë shumë më të mira, që sportistëve të rinj nuk u mungon asgjë.
“Kemi ushtruar në Celje, kemi fjetur në një dhomë pesë ose gjashtë vajza të bashku, jemi ushqyer me bukë dhe djathë tri herë në ditë. Nëse ia kemi dalë të sigurojmë pulë, ishte shumë mirë. E kemi ndarë i gjithë grupi dhe vajzat tani thuajse nuk më besojnë. Por ne jemi ndryshe. Mendoj se të rritesh duke pasur jetë të vështirë, probleme të ndryshme dhe të bëhesh e suksesshme është motivim i madh. Shumë herë kam pasur probleme kur kam dashur ta prezantoj Kosovën, por nëse dikush ka tentuar të më ndalë, kjo më ka bërë të punoj më fort. Mentalisht jam bërë e fortë për shkak të kësaj”, ka vazhduar Majlinda intervistën me xhudistet e reja.
Majlinda ka folur për ndikimin e rrjeteve sociale në jetën e sportistëve të reja.
“Mendoj se tani sportistet e reja nuk e shikojnë shumë veten, jetën e tyre, punën e tyre. Janë shumë të zëna duke shikuar të tjerët. Po ashtu, në ekipin tonë. Duhet të merreni më shumë me punët tuaja”.
Ajo ka këshilluar xhudistet e reja që të punojnë shumë, të besojnë në vete dhe t’u besojnë trajnerëve të tyre. Thotë se ka vërejtur që trajnerët nuk respektohen nga sportistët e tyre, se kanë gjithnjë për të thënë diçka, për të kundërshtuar. Ka thënë se të jesh garuese superiore dhe të festosh gjithë natën nuk është e mundur.
“Mundohuni të shijoni karrierën që është e shkurtër dhe jepni gjithnjë më të mirën. Nëse e jepni maksimumin, rezultatet do të vijnë”, ka theksuar Majlinda Kelmendi (32).
Ajo ka thënë që xhudoja ia ka dhënë të gjitha. Ka thënë se me xhudo e ka vendosur Kosovën në hartë, e ka shfaqur flamurin e shtetit në Rusi.
“Është në një sallë stërvitjeje me Putinin, çka mund të bëja më shumë për njohje? Por të gjitha këto mundësi kanë ardhur nga xhudoja. Familja ime jeton mirë për shkak të këtij sporti. Nuk mund ta imagjinoj se sa ndryshe do të ishte jeta jonë”.
Majlinda ka folur edhe për presionin që ka pasur si garuese, për pritjet që ajo gjithnjë të fitojë medalje dhe për faktin që i gjithë vendi ka shikuar tek ajo për suksese.
Majlinda ka treguar se vendimin për përfundimin e karrierës si xhudiste e mori para Lojërave Olimpike në Tokio. Ka treguar për sulmet e panikut që i ishin shfaqur, për gjendjen jo të mirë mentale. Thotë se ka vazhduar deri në Tokio vetëm për shkak të ekipit.