Sport

Kosova me katër skuadra në Evropë, katër të tjera nuk e shfrytëzuan të drejtën

Tetë klube të hendbollit nga Kosova e kishin të drejtën e paraqitjes në kupat evropiane në edicionin e ardhshëm, 2023/2024. Por vetëm gjysma e tyre e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë.

Federata Evropiane e Hendbollit të hënën e të martën ka publikuar listën e skuadrave që paraqiten në Ligën Evropiane dhe Kupën Evropiane në edicionin e ardhshëm.

Në Ligën Evropiane, që është niveli i dytë i garave kontinentale për klube, nuk ka asnjë skuadër kosovare. Në fakt Istogu kishte paralajmëruar paraqitjen në Ligën Evropiane, por megjithatë nuk merr pjesë. Istogu do të vazhdojë të paraqitet në Kupën Evropiane për hendbolliste, që është niveli i tretë.

Në Kupën Evropiane te hendbollistet janë gjithsej 64 skuadra. Të gjitha startojnë në raundin e dytë. Istogu në short do të jetë në mesin e skuadrave bartëse, ndërsa Ferizaj në mesin e skuadrave jobartëse.

Shorti tërhiqet më 18 korrik, ndërsa ndeshjet luhen në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit.

Dy skuadrat e tjera të hendbollisteve, Vushtrria e Kastrioti, nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën për të garuar në Evropë.

Te hendbollistët, kampionia, Besa Famgas, dhe fituesja e Kupës, Trepça, paraqiten po ashtu në Kupën Evropiane. Gjithsej 76 skuadra do të garojnë në Kupën Evropiane. Besa e Pejës dhe Trepça startojnë prej raundit të dytë. Në rundin e parë garojnë 24 skuadra, ndërsa të tjerat kaluan direkt në rundin e dytë.

Në short, Besa është bartëse, ndërsa Trepça jo.

Edhe Besa e Trepça mësojnë kundërshtarët pas një jave. Ndërsa ndeshjet i luajnë më 14/15 dhe 21/22 tetor.

Prishtina e Vushtrria nuk kanë shfrytëzuar të drejtën për të luajtur ndeshje evropiane.

Për dallim nga futbolli, ku dalja në Evropë, ka edhe shpërblim financiar, në hendboll ka të hyra vetëm në rast suksesi dhe atë jo shumë të mëdha. Ndërkohë, shpenzimet janë goxha të mëdha dhe për këtë arsye skuadrat shpesh heqin dorë nga e drejta për të garuar në Evropë.

Skuadrat kosovare të hendbollit prej vitit 2005 paraqiten në kupa evropiane. Pak është përparuar prej atëherë, sa i takon suksesit.