Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka, ka mohuar se është larguar nga Arsenali për shkak se gruaja e tij ishte e palumtur në Angli.
Xhaka ditë më parë kompletoi kalimin te Bayer Leverkuseni. Ish-kapiteni i “Topçinjve” u largua nga Londra pas shtatë vjetësh e më shumë se 200 paraqitjesh në Premier League.
“Ka pasur gjithandej spekulime se gruaja ime nuk ishte më e lumtur në Angli. Kjo s’është aspak e vërtetë”, ka thënë ai për “Keystone-SDA”. “Është fakt se unë jam person që gjithmonë më interesojnë sfidat e reja”.
“Pas shtatë vjetësh, ishte koha për diçka krejt të re. Liga nuk është e re, por klubi po. Gjatë bisedimeve me drejtorin sportiv dhe Xabi Alonson (trajnerin), kam ndier se projekti afatgjatë në Leverkusen ishte më i vlefshëm dhe se më përshtatej 100 për qind”, ka shtuar Xhaka.
Kapiteni i Zvicrës ka pasur lavde për ish-trajnerin tek Arsenali, Mikel Arteta. E ka cilësuar si trajner shumë të afërt të cilin e respekton pafund.
Xhaka ishte afër largimit nga Arsenali para disa vitesh pas tensioneve me tifozët, por ishte Arteta që e bindi të qëndronte për disa vite.