Sport

Leverkuseni zyrtarizon Xhakën, “maestron e mesfushës”

Granit Xhaka është futbollist i Bayer Leverkusenit, skuadrës së Bundesligës gjermane. Të enjten pasdite Leverkuseni e ka bërë zyrtar transferimin e Xhakës nga Arsenali.

Është raportuar se Xhaka ka kaluar në klubin gjerman për 25 milionë euro. Sipas kontratës, Xhaka do të jetë te Leverkuseni deri në vitin 2028. Te Leverkuseni kanë pritje shumë të mëdha nga Xhaka, të cilin e kanë prezantuar si “maestro të mesfushës”.

“Me Granitin ne kemi angazhuar pa asnjë dyshim një top-lojtar”, ka thënë Simon Rolfes, drejtor sportiv i Leverkusenit.

“Aftësitë e tij në fushë janë të njohura mirë. Përtej kësaj, ka pak lojtarë që janë në gjendje që aq bindshëm ta udhëheqin ekipin si Xhaka, falë mentalitetit të tij të jashtëzakonshëm dhe personalitetit”, ka vazhduar Rolfes me lavde për 30-vjeçarin shqiptar.

Xhaka ka luajtur me sukses tek Arsenali që nga viti 2016. Ka pasur periudhat e tij të vështira, por kryesisht është paraqitur në nivel të lartë dhe ishte i rëndësishëm. Ka shkëlqyer sidomos në edicionin e fundit. Por megjithatë vendosi të largohet nga londinezët. Ai kthehet në Bundesligë ku ka luajtur nga viti 2012 deri në vitin 2016. Ishte pjesë e Borussia Moenchengladbach.

“E njoh ligën dhe e kam përcjellë edhe sa isha në Londër. Bayer 04 është klub me histori impresive dhe me ambicie të mëdha”, ka thënë Xhaka. “Mbi të gjithë, e shoh si klub me të ardhme të ndritur. Diskutimet me menaxhmentin ishin jashtëzakonisht motivuese. Të gjithë këtu janë ambiciozë dhe duan të arrijnë diçka. Po shikoj me optimizëm për vitet që na presin së bashku”, ka thënë Xhaka.

Leverkuseni ishte i gjashti në Bundesligë së fundi. Për trajner e ka Xabi Alonson. Skuadra e re e Xhakës e ka fituar Kupën e Gjermanisë në vitin 1993, ndërsa nënkampion i Gjermanisë ishte pesë herë.

Xhaka është kapiten i Zvicrës dhe lider i saj. Është edhe prej lojtarëve më të mirë dhe më të suksesshëm shqiptarë.