Sport

Daku para vendimeve të rëndësishme në karrierë

Mirlind Daku është kthyer tek Osijeku. Por gazeta e madhe kroate “Sportske Novosti” ka pyetur se sa do të qëndroi këtë herë sulmuesi kosovar te Osijeku. 25-vjeçari tani ka nisur vitin e fundit të kontratës me klubin e elitës kroate të futbollit.

Pos për klubin, Dakun e pret vendim i rëndësishëm edhe për përfaqësuese. Ai së fundi është pajisur me shtetësi të Shqipërisë.

“Ky ndryshim i shtetësisë mund të më ndihmojë pasi më nuk më duhet viza për shumë vende evropiane. Do të shohim ende se çka do të ndodhë në të ardhmen. Tani e kam mundësinë që të luaj edhe për Shqipërinë, por do të shohim ende”, ka thënë Daku për Sportske Novosti.

Daku ka vlerësuar se e meritonte ftesën nga Kosova për ndeshjet e qershorit. Por ajo megjithatë, nuk i erdhi.

Daku në edicionin e kaluar ishte i huazuar nga Osijeku te Mura në Slloveni. Në kampionatin slloven i shënoi 19 gola.

“Jam i kënaqur me kontributin, ndonëse e di që kam mundur të paraqitem edhe më mirë. Shpresoj që do të vazhdoj njëjtë edhe në edicionin e ardhshëm. Mendoj që tani jam lojtar i kompletuar”, ka shtuar sulmuesi kosovar.

Ai është i lumtur që ka fituar respektin e tifozëve të Muras. Thotë se ka dhënë më të mirën e mundshme për këtë skuadër.

Daku ka munguar disa ditë në stërvitjet e Osijekut dhe tani po punon me ritëm të rritur. Daku është tek Osijeku që nga qershori i vitit 2018. Por ka luajtur pak për këtë skuadër kroate. Ishte huazim te Kukësi, Ballkani dhe te Mura sllovene. Ai thotë se huazimi ishte i duhur, pasi nuk është lojtar që kënaqet me vend në bankën rezervë.

Sipas gazetës kroate, tek Osijeku janë të interesuar të vazhdojnë kontratën me Dakun, ndonëse atij asnjëherë nuk ia dhanë rastin e vërtetë.

“Nuk e di ende. Po bisedojmë me klubin ndërsa i kemi edhe disa oferta. Në fund do të shohim se çka është më mirë edhe për mua edhe për klubin dhe do të vendosim”, ka thënë Mirlind Daku.