Kastriot Imeri ka shkëlqyer të enjten mbrëma te përfaqësuesja U21 e Zvicrës në futboll. Ai ishte më meritori që Zvicra U21 fitoi 2:1 ndaj Norvegjisë U21, në Kampionatin Evropian të kësaj grupmoshe që po mbahet në Rumani dhe Gjeorgji.
Në Cluj-Napoca të Rumanisë, Zvicra fitoi me përmbysje të rezultatit. Emil Ceide kaloi në epërsi Norvegjinë në minutën e 19-të. Ai kaloi mjeshtërisht Ardon Jasharin dhe një lojtar tjetër të Zvicrës para se ta mposhtte Amir Shaipin.
Por më psanë skenë doli Imeri. Dhjetëshja e Zvicrës asistoi në golin për 1:1, të cilin në minutën e 36-të e shënoi Dan Ndoye. Në minutën e 56-të, mesfushori Imeri gjuajti saktë nga distanca për golin për 2:1. Me këtë rezultat përfundoi takimi.
Imeri e Jashari startuan në mesfushën e Zvicrës, ndërsa Amir Shaipi ishte në portë. Jashari e Shaipi kompletuan ndeshjen, ndërsa Imeri la fushën në minutën e 82-të. Bledian Krasniqi qëndroi në stol te Zvicra U21.
Zvicra garon në Grupin D, ku janë edhe Franca e Italia.
Ndeshjen e ardhshme e luan ndaj Italisë më 25 qershor. Ndërsa më 28 qershor takohet me Francën.
Imeri është pjesë e Young Boysit, me të cilën skuadër ka fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Zvicrës. 22-vjeçari është prej lojtarëve më me prëvojë te Shpresat e Zvicrës. Tashmë ka debutuar në përfaqësuesen A të Zvicrës, ndërsa e ardhmja e tij te helvetikët vlerësohet e sigurt.