Mirlind Daku është përshëndetur me Muran pas përfundimit të sezonit, por Dardan Shabanhaxhaj do të vazhdojë ta mbajë veshur fanellën “bardhezi”. Ish-futbollisti i Sturm Grazit ishte i huazuar, por të mërkurën ka vendosur ta vazhdojë karrierën në elitën e futbollit të Sllovenisë.
Kështu ka njoftuar të mërkurën klubi slloven.
“Jemi pajtuar me kushte të mira me Sturmin për transferimin e Dardanit. Ai kishte oferta në tavolinë, por jemi të lumtur që kemi arritur ta bindim futbollistin të qëndrojë në skuadër. Edicionin e kaluar ai tregoi vlera. Besoj se ato do t’i shfaq edhe në edicionin e ri”, ka thënë drejtori sportiv i skuadrës sllovene, Denis Rajbar.
Nga ana tjetër, Shabanhaxhaj 22-vjeçar, u shpreh i lumtur për qëndrimin e tij në skuadër.
Ai shënoi një gol dhe pati dy asistime në 30 paraqitje të edicionit që përfundoi. “Jam shumë i lumtur që do të vazhdojë të luajë në Mura. Kam marrëdhënie të mira me secilin këtu, tifozët janë të veçantë. Dua ta ndihmojë Muran në objektivat që i ka. Premtoj se do të vazhdojë ta bëj më të mirën”, është shprehur Shabanhaxhaj.