Arsenali ka hequr nga shitja fanellën e “dizajnuar gabimisht” nga kompania e veshmbathjeve Adidas.
Fanella e re kishte çmimin e rreth 130 eurove. Ndërkohë, ajo përfaqësonte sezonin e Arsenalit që nuk dinte për humbje para rreth 20 vjetëve.
Arsenali e kishte mbyllur atë kampanjë pa asnjë disfatë të vetme në Premier League dhe e kishte fituar titullin.
Kompania Adidas ka thënë se paratë e shpenzuara nga tifozët në fanellat me dizajn të gabuar, do të rimbursohen. Fanella e re e Arsenalit ka të dizajnuar shkronja W dhe D, që kanë kuptimin e fitoreve dhe të barazimeve të arritura nga i gjithë sezoni.
Në kampanjën 2003/04, Arsenali kishte 26 fitore dhe 12 barazime. Por blerësit e fanellës së re kanë vënë re se vetëm 32 nga 38 ndeshje të ligës janë paraqitur në dizajnin e fanellës së re.
Sipas tyre, barazimet me Portsmouthin dhe Birminghamin si dhe katër fitore tjera përgjatë sezonit, nuk janë shfaqur fare.
Fanella e re aktualisht nuk mund të blihet në faqen zyrtare të Adidasit apo Arsenalit.