Driton Kuka vlerëson medaljen e bronztë që Laura Fazliu e ka fituar të shtunën në Grand Slamin e xhudos në Kazakistan. Por e di që Laura ka pasur potencial për ta fituar të artën. Trajneri i Kosovës në xhudo, Kuka, e di se Laura ka potencial shumë të madh. Potencial për t’i rreshtuar të artat. E di po ashtu që xhudistja e kategorisë deri 63 kilogramë nuk po e shfaq ende më të mirën.
Laura në Kazakistan ishte bartësja e dytë. Me hedhje mjeshtërore, të denjën për reklama të xhudos, e kaloi garuesen vendase Esmigul Kuyulova. Më pas u mposht nga jug-koreanja Kim Jisu. Ajo në fund fitoi medaljen e artë.
Laura më pas rreshtoi dy fitore bindëse ndaj ruseve Kamila Badurova dhe Dali Liluashvili për ta fituar medaljen e bronztë. Ruset garojnë si të pavarura.
Për Laurën është medalja e tretë e madhe këtë vit. E treta ishte në Grand Slamin në Tel Aviv më 16 shkurt. Në mars ishte e dyta në Grand Slamin në Tbilisi. Ajo e ka të sigurt normën olimpike, ndërsa synon renditje sa më të lartë. Aktualisht është e teta, ndërsa në renditjen e re do të jetë të paktën disa pozita më lartë.
“Laura ende nuk po e shfaq gjithë potencialin që ka. Ajo mundet shumë më tepër. Na duhen edhe disa ndryshime në luftë me më të mirat, sidomos kur gjërat nuk shkojnë si duhet. Duhet taktizim dhe kjo po i mungon aktualisht Laurës. Por do të punojmë edhe më shumë në këtë drejtim”, ka thënë Driton Kuka të shtunën për KOHËN.
Ai nuk ishte me ekipin në Kazakistan. Në këndin e trajnerit ka qëndruar ndihmësi i Kukës, Fatos Tabaku. Por kryetrajneri Kuka natyrisht i ka përcjellë të gjitha luftërat dhe ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me ekipin.
“Gjetja e rrugëve alternative në luftëra të caktuara është domosdoshmëri. Ka humbur disa luftëra të forta për mungesë të kësaj”, ka vazhduar Kuka.
IJF-ja ka shkruar për dominimin e plotë të Laurës në luftë për medalje të bronztë.
“Ishte luftë njëdrejtimëshe. Laura Fazliu ka dominuar plotësisht ndaj kundërshtares”, ka shkruar Federata Ndërkombëtare e Xhudos.
22-vjeçarja është nënkampione evropiane. Vlerësohet me potencial për të fituar medalje olimpike e po ashtu për t’i rreshtuar të artat në garat e xhudos. Por vetëm pasi t’i bëjë ndryshimet që trajneri Kuka i kërkon prej saj.