Sport

Muriqi kërkon fitoren ndaj Rumanisë

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi ka thënë se ka besim të madh se “Dardanët” do ta mposhtin Rumaninë në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2024”.

Dueli mes Kosovës dhe Rumanisë, zhvillohet të premten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe i takonn Grupit I kualifikues.

Kosova, të mërkurën ka mbajtur stërvitjen e parafundit për duelin me rumunët, ndërsa Muriqi ka insistuar se gjithë ekipi është plotësisht i gatshëm për këtë përballje. Sipas tij, ndeshja me Rumaninë, por edhe ajo me Bjellorusinë që luhet tri ditë më vonë në Budapest, janë të rëndësishme për rrugëtimin e Kosovës në këtë cikël eliminator.

“Shumicën e përgatitjeve që është dashur t’i bëjmë tashmë i kemi bërë. Sonte e kemi edhe videoanalizën e kundërshtarit për të parë se si luajnë dhe çfarë taktike bazë e kanë. Deri sot kemi ushtruar me intensitet, teksa nesër do të jetë një stërvitje më e lehtë. Jemi optimistë në radhë të parë, që besoj është më kryesorja, por edhe jemi lojtarë që punojmë shumë, prandaj shpresoj në trepikësh në ‘Fadil Vokrri’ para tifozëve tanë. Këto pa dyshim janë dy ndeshje kruciale. Fillimisht kemi përballë Rumaninë, e cila ka katër pikë më shumë se ne dhe nuk mund të parashikoj situatë tjetër përveç tre pikëve. Çdo rezultat tjetër mund të na shkatërrojë dhe të na shkaktojë dhimbje e po ashtu edhe një destabilitet siç e kemi pasur në kualifikimet e kaluara”, ka thënë Muriqi.

“Prandaj, është i domosdoshëm trepikëshi në radhë të parë me Rumaninë, e pastaj me Bjellorusinë në Budapest është histori tjetër. Mesazhi për ‘Dardanët’? Ata gjithmonë na kanë përkrahur, edhe kur s’kemi luajtur mirë apo kemi qenë të dobët. Stadiumi gjithmonë ka qenë i mbushur nga tifozët. Ata vetëm duhet të kenë durim dhe të na përkrahin deri në fund të ndeshjes. Me euforinë që do të na japin besoj se do të jenë një forcë shtytëse për ne”, ka shtuar ai.

Federata e Futbollit të Kosovës, ka njoftuar se “Dardanët” të enjten do ta mbajnë stërvitjen e fundit, e cila do të mbahet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Deri më tani, Kosova është përgatitur në Kampin Nacional të FFK-së, në Hajvali.