Manchester City ka shkruar histori të futbollit evropian. Për herë të parë në histori, City e ka fituar Ligën e Kampionëve. Në finale të Championsit, City fitoi me shumë mund ndaj Interit, me rezultatin 1:0.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Ataturk” në Stamboll u vendos në minutën e 68-të. Rodri shënoi gol me goditje të saktë nga zona. Aksionin e nisi Manuel Akanji, që gjeti bukur në zonë Bernardo Silvan. Silva ktheu topin te Rodri që goditi saktë për trofeun e parë të Ligës së Kampionëve për Cityn.
Me triumfin e së shtunës mbrëma, Manchester City ka përmbyllur një edicion shumë të suksesshëm. Ka kompletuar “tripletën”. Më herët ka fituar titullin e kampionit në Premier League e po ashtu Kupën FA. Këtë e ka arritur vetëm edhe Manchester Unitedi në vitin 1999.
Por City nuk ka dominuar ashtu si shumë njerëz kanë pritur. Interi ishte rival i barabartë dhe ka krijuar raste, sidomos pasi pranoi gol. Menjëherë në minutën e 71-të Federico Dimarco goditi traversën e më pas goditjen e tij e bllokoi Romelu Lukaku.
Sulmuesi i fuqishëm, Lukaku, kishte rast të artë në minutën e 88-të. Goditi me kokë nga afërsia, por topi shkoi drejt në Edersonin. City ruajti epërsinë dhe festoi suksesin historik.
71' - Interi lëshon rast të artë
Interi ka lëshuar rast të artë për të barazuar rezultatin. Në minutën e 71-të Dimarco fillimisht goditi traversën. Goditi edhe pas topit të kthyer, por topi u bllokua nga Lukaku.
68' - GOOOOOL. Manchester City ka shënuar gol në ndeshjen finale ndaj Interit. Në minutën e 68-të Rodri shënoi me goditje të saktë pas një topi të kthyer. City udhëheq 1:0.
57' - Lukaku në vend të Xhekos
Sulmuesi i fuqishëm, Romelu Lukaku është aktivizuar tek Interi. Lukaku në minutën e 57-të zëvendësoi Edin Xhekon, që u ankua në një lëndim. Xheko nuk ka rrezikuar, por është vlerësuar presioni që ka bërë në mbrojtësit e Cityt.
Nis pjesa e dytë
Ka nisur në Stamboll pjesa e dytë e finales së madhe mes Manchester Cityt dhe Interit. Rezultati mbetet 0:0.
Trajnerët nuk kanë ndryshuar ekipet me të cilat mbyllën pjesën e parë.
Pa gola në pjesën e parë
Nuk janë shënuar gola në pjesën e parë të finales së Championsit mes Manchester Cityt dhe Interit. Momenti më i rëndësishëm ishte në minutën e 36-të kur Kevin De Bruyne la fushën për shkak të një lëndimi.
Bernardo Silva, Erling Haaland dhe De Bruyne provuan për Cityn. Haaland kishte rastin më të mirë, por Andre Onana reagoi me sukses.
Interi ka provuar disa herë, por pa rrezikuar seriozisht. Në minutën e 26-të Nicolo Barella provoi nga distanca pas gabimit të portierit të Cityt, por topi përfundoi larg prej portës.
36' - De Bruyne lëshon fushën

Njëri prej lojtarëve kryesorë të Cityt, Kevin De Bruyne, nuk ka mundur të vazhdojë ndeshjen finale. Për shkak të një lëndimi, De Bruyne u largua në minutën e 36-të. Në vend të tij u aktivizua Phil Foden.
De Bruyne pati lëshuar para kohe edhe finalen e para dy vjetëve në “Champions”, në ndeshjen ndaj Chelseat.
30' - Ende pa gola në finale
Manchester City e Interi nuk kanë shënuar ende gol në finalen e Championsit në Stamboll. Ka kaluar minuta e 35-të. Erling Haaland provoi për Cityn, por Onana ishte i vëmendshëm. Goditja e Kevin de Bruynes, nuk ishte shumë e rrezikshme. Ndërkohë Interi nuk shfrytëzoi një gabim të portierit të Cityt.
20' - Ndeshje e barabartë në Stamboll

Manchester City e Interi po luajnë ndeshje të barabartë në Stamboll.
Minutat e parë i takuan Cityt, por më pas Interi u stabilizua në lojë dhe ka provuar disa herë të krijoi rast për gol.
Rezultati mbetet 0:0. Kanë kaluar 20 minutë lojë.
10' - Dominim i pritur i Cityt

Ashtu si pritej, Manchester City po dominon në minutat e parë të finales së Championsit ndaj Interit. Ndeshja po luhet në Stamboll. Bernardo Silva ka rrezikuar deri më tani. Goditja e tij në minutën e pestë shkoi pranë portës.
Formacionet:
Man City
Ederson: Stones, Ruben Dias, Akaji, Ake: Bernardo Silva, Rodri, De Bruyne, Gundogan, Grealish: Haaland
Inter
Onana: Darmian, Acerbi, Bastoni: Dumfries, Calhanoglu, Brozoviq, Barella, Dimarco: Lautaro, Xheko